Ndërlidhjet

Aleatët e SHBA-së vazhdojnë ta mbështesin marrëveshjen me Iranin


Presidenti Donald Trump
Presidenti Donald Trump

Aleatët e SHBA-së dhe shtetet e tjera e kanë kundërshtuar kërcënimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ai do të braktisë marrëveshjen bërthamore në mes të fuqive botërore dhe Iranit, duke thënë se ata përsëri do ta mbështesin këtë marrëveshje.

Trump, në një fjalim të shumëpritur rreth politikës me Iranin, është zotuar se do të rrisë presionin ndaj Iranit, duke iu referuar Teheranit si “regjim mashtrues” dhe duke kërcënuar se do ta braktisë marrëveshjen, të cilën ai e konsideron se ka “mangësi serioze”.

“Derisa SHBA-ja është e përkushtuar ndaj marrëveshjes, regjimi i Iranit vazhdon të nxisë konfliktin dhe terrorin në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha ai.

Në marrëveshjen e vitit 2015, të nënshkruar nga ish-presidenti Barack Obama, Teherani ishte pajtuar të zvogëlonte aktivitetet e tij bërthamore, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Në këtë marrëveshje janë edhe Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania.

Trump ka refuzuar ta certifikojë marrëveshjen dhe ka thënë se do të kërkojë nga Kongresi, që të shtojë presionin ndaj Teheranit dhe në një mënyrë t’ia ndalojë “rrugën” drejt zhvillimit të armëve bërthamore.

Si reagim ndaj fjalimit të Trumpit, Britania, Franca dhe Gjermania kanë përsëritur qëndrimet e tyre për të qëndruar në marrëveshje, për të cilën ata thanë se ishte “në të mirë të sigurisë kombëtare të përbashkët”.

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e ka quajtur “marrëveshje të fuqishme”, dhe se asnjë lider nuk mund t’i japë fund.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shumë ndikim, por jo edhe në këtë marrëveshje”, ka shtuar Mogherini.

Ne e inkurajojmë administratën amerikane dhe Kongresin që t’i shqyrtojnë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e saj, para se të ndërmarrin ndonjë hap që do ta shpërfillte marrëveshjen, në këtë rast duke i shtuar sanksionet ndaj Iranit”, kanë thënë në një deklaratë të përbashkët liderët francezë, britanikë dhe ata gjermanë.

Deklarata ishte e nënshkruar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministrja britanike, Theresa May.

Në një deklaratë të veçantë, Macron ka siguruar presidentin iranian, Hassan Rohani, se Franca do të jetë e përkushtuar ndaj marrëveshjes bërthamore.

Po ashtu, ai i ka thënë Rohanit, përmes një bisede në telefon më 13 tetor, se po shqyrton një vizitë në Iran.

“Një vizitë në Iran nga presidenti Macron, me ftesë të presidentit Rohani, është marrë parasysh”, thuhet në deklaratë.

Sipas faqes zyrtare të Qeverisë iraniane, vizita mund të ndodhë vitin e ardhshëm.

Ndaj deklaratave të Trumpit, ka reaguar edhe Rohani, i cili në një adresim nwpwrmjet televizionit kishte thënë se Shtetet e Bashkuara janë “kundër marrëveshjes ndërkombëtare” dhe se kjo mund ta dërgojë Uashingtonin drejt izolimit.

“Sot, SHBA-ja po e kundërshton më shumë se kurrë marrëveshjen bërthamore dhe popullin e Iranit”, ka thënë Rohani.

Lideri iranian ka shtuar se, derisa interesat e Iranit mbesin të paprekura, Teherani do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes, dhe kundërshtoi shtimin e klauzolave të reja në marrëveshje.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se është “ problematikë shqetësuese” që Trumpi po e vë në pikëpyetje marrëveshjen e nënshkruar nga fuqitë botërore, raporton agjencia e ruse e lajmeve, RIA.

“T’ishtohet diçka këtij dokumenti tani, apo të ndryshohet diçka në të, në pikëpamjet tona, kjo do të ishte shumë problematike”,ka shtuar ai.

Ndërsa, Kina nuk ka reaguar pas fjalimit të presidentit Trump, por më herët i kishte bërë thirrje Uashingtonit që ta ruante këtë marrëveshje.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se “beson fuqishëm” që marrëveshja nuk do të ndryshojë, derisa Fushata për parandalimin e armëve bërthamore, që së fundmi ka fituar çmimin Nobel për Paqe, ka thënë se vendimi i Trumpit, dëmton rëndë këtë marrëveshje.

Përgatiti: Linda Gjokaj

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG