Ndërlidhjet

SHBA: Irani po e mbanë peng botën me largim nga marrëveshja atomike


Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha mbrëmë se Irani po përpiqet ta “mbajë peng botën” duke u kërcënuar se mund të tërhiqet nga marrëveshja atomike e vitit 2015, për shkak të “sanksioneve dhe detyrimit” nga Shtetet e Bashkuara.

Në këtë mënyrë, ambasadorja Haley u përgjigj ndaj komenteve të presidentit të Iranit, Hassan Rohani, i cili dje më herët gjatë ditës, tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka imponuar disa raunde të reja të sanksioneve kundër Iranit, ka treguar se “nuk është partner i mirë” dhe i gatshëm ta zbatojë pjesën amerikane të marrëveshjes dhe se kjo mund të çojë në tërheqjen e Iranit nga përkushtimet për kufizimin e aktiviteteve atomike brenda “disa orëve”.

Ambasadorja Haley në deklaratën e saj në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, theksoi se sanksionet e Trumpit nuk ishin të ndërlidhura me marrëveshjen atomike, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë botërore janë pajtuar për tërheqjen e pjesës më të madhe të sanksioneve ekonomike kundër Iranit.

Mëtutje, ajo tha se Teherani duhet të mbahet përgjegjës për “lansimet e veta raketore, mbështetjen për terrorizëm, mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Irani nuk mund të lejohet ta shfrytëzojë marrëveshjen atomike për ta mbajtur botën peng”, tha Haley dhe ka shtuar se “marrëveshja atomike nuk duhet të bëhet shumë e madhe që të dështojë”.

Nikki Haley është shprehur se “Irani në asnjë rrethanë, asnjëherë nuk duhet të lejohet të ketë armatim atomik”.

Rohani: Trumpi nuk është partner i mirë

Presidenti iranian, Hassan Rohani, dje më herët gjatë ditës u tha ligjvënësve në Teheran se administrata Trump duket se dëshiron të kthehet në periudhën para marrëveshjes atomike, pasi disa herë po përpiqet ta detyrojë Iranin të ndryshojë nëpërmjet taktikave të presionit, e jo të negociatave.

Përvoja e dështuar e sanksioneve dhe e detyrimit, e solli administratën e tyre të mëparshme në tryezën e negociatave”, tha ai në një fjalim në Parlament, që u transmetua në televizion.

Nëse ata dëshirojnë të kthehen në këtë përvojë, atëherë definitivisht për një kohë të shkurtër, jo javë ose muaj, por në shkallën e orëve dhe ditëve, ne do të kthehemi në situatën e mëparshme shumë më të fuqishëm”, tha Rohani.

Rohani tha se Donald Trump, prej se e ka filluar presidencën, i ka treguar botës se “nuk është partner i mirë”, jo vetëm sa i përket marrëveshjes madhore atomike të vitit 2015, që njihet si Plan i Përbashkët Gjithëpërfshirës Aksional (JCPOA), por edhe në marrëveshjet e tjera globale.

Popujt e botës, në muajt aktualë, qartazi kanë parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht nën presidencën e zotit Trump, i injorojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Pos që shpeshherë dhe në mënyrë të vazhdueshme e shkelin marrëveshjen atomike, ato i kanë shkelur marrëveshjet prej Parisit, e deri te ajo me Kubën, pastaj prej marrëveshjes NAFTA e deri te ajo për Partneritet Trans-Paqësor. I ka demonstruar botës dhe bile edhe aleatëve se Shtetet e Bashkuara nuk janë partner i mirë”, tha Hassan Rohani duke folur në Parlamentin e Iranit.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, mbrëmë nuk i ka komentuar direkt deklaratat e Rohanit, por ka insistuar se Uashingtoni është plotësisht në harmoni me pjesën e saj të marrëveshjes atomike.

Ajo, po ashtu, tha se Uashingtoni po e shqyrton politikën e vet ndaj Iranit dhe beson se marrëveshja atomike nuk i ka përfunduar “aktivitetet e tjera destabilizuese” të Teheranit në rajon.

Më herët këtë muaj, zoti Trump ka vlerësuar se Irani nuk është në harmoni “me shpirtin” e marrëveshjes atomike, të cilën ai e ka përshkruar si “shumë të keqe”.

Marrëveshja me fuqitë botërore i mundëson Iranit lehtësim nga sanksionet ndërkombëtare për kufizim të aktiviteteve të tij bërthamore.

Agjencitë monitoruese të Shteteve të Bashkuara dhe të Kombeve të Bashkuara, kanë thënë se Irani e ka respektuar marrëveshjen e vitit 2015.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG