Ndërlidhjet

SHBA: Votim në OKB për K. Veriore, pavarësisht qëndrimit rus dhe kinez


 Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, dhe homologu i saj kinez Liu Jieyi.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, dhe homologu i saj kinez Liu Jieyi.

Shtetet e Bashkuara të premten mbrëma kanë kërkuar votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për propozim-rezolutën amerikane, me të cilën parashihen sanksione të rënda ekonomike kundër Koresë Veriore, për shkak të testit të fundit atomik, me gjithë rezistencën nga Rusia dhe Kina.

Me këtë dokument, për të cilin misioni amerikan në OKB thotë se dëshiron që këshilli të votojë për të më 11 të këtij muaji, do të imponohej embargo për naftë në Korenë Veriore, ndalesë e eksporteve të tekstilit veri-korean dhe moslejim të punësimit të jashtëm të punëtorëve nga Koreja Veriore, kryesisht në Rusi dhe në Kinë, kanë raportuar mediat e Shteteve të Bashkuara.

Raportohet, po ashtu, se do të imponohej edhe ngrirje e pasurisë dhe ndalim i udhëtimit të liderit veri-korean, Kim Jong Un.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dëshirojnë sanksione të ashpra për ta rritur presionin maksimal kundër Phenianit, që të pajtohej për negociata për përfundimin e testeve atomike dhe raketore.

Diplomatët e Kombeve të Bashkuara thonë se propozimet e fundit të Shteteve të Bashkuara do të ishin sanksionet më të ashpra, që janë imponuar deri tash ndaj Koresë Veriore, për ndëshkim ndaj testit të gjashtë dhe më të madh atomik më 3 të këtij muaji.

Kina, aleat veri-korean, dhe Rusia fqinje, i kanë kundërshtuar sanksionet e mëtejshme, megjithëqë përfaqësuesit e të dy shteteve në OKB kanë marrë pjesë në diskutimet këtë javë për raundin e ri të sanksioneve.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha këtë javë se vetëm sanksionet nuk mund ta zgjidhin rrugën pa krye në Gadishullin Korean. Kina dhe Rusia kanë kërkuar negociata dhe zgjidhje diplomatike.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se është shumë herët për të votuar për sanksione të reja kundër Koresë Veriore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ende po punohet lidhur me një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit dhe është ende herët të bëhen parashikime për formën e saj finale”, tha Lavrov në një konferencë për gazetarë në Moskë.

“Së bashku me presionin kundër regjimit të Koresë Veriore, për ta bindur të tërhiqet nga provokimet në implementimin e programeve të veta atomike dhe raketore, është e domosdoshme të theksohet dhe të rritet prioriteti i përpjekjeve për vazhdimin e procesit politik”, theksoi Lavrov.

Agjencitë e lajmeve, Reuters dhe AFP, i kanë cituar burimet diplomatike, që kanë shprehur dyshime se Kina ose Rusia, që kanë të drejtë të vetos, do të pranonin diçka më të ashpër se ndalesë e importit të tekstilit të Koresë Veriore.

Zyrtarët kinezë kanë shprehur shqetësim se imponimi i embargos së naftës mund të shkaktojë jostabilitet në Korenë Veriore. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se masa të tilla të ashpra, më tepër do t’i dëmtonin shtetasit e varfër veri-koreanë, se sa qeverinë.

Në fillim të verës, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar sanksione ekonomike, me të cilat parashihet zvogëlimi për një të tretën i të ardhurave të Koresë Veriore nga eksporti, që ishte masa më e ashpër deri tash.

Debati i ripërtërirë për sanksione në Kombet e Bashkuara po bëhet në periudhën kur Koreja Jugore ka raportuar detektimin e gjurmëve të vogla të grimcave radioaktive, që kanë mundur të lirohen nga eksplodimi i asaj që Pheniani tha se ishte testi nëntokësor i bombës më të fuqishme hidrogjenike në fundjavën e kaluar.

Izotopet radioaktive Xenon janë detektuar në mostrat e gjetura në tokë, det dhe ajër, por ishin shumë të vogla për t’i dëmtuar njerëzit dhe ambientin, ka thënë Komisioni për siguri atomike i Koresë Jugore.

Zyrtarët jug-koreanë kanë thënë se ata janë të gatshëm për test të ardhshëm të Koresë Veriore, kur e shënon përvjetorin e themelimit më 9 shtator.

Ekspertët thonë se Pheniani duket se është afër qëllimit të vet për zhvillimin e armatimit të fuqishëm atomik me kapacitet për të arritur në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur përkushtim për ta parandaluar një gjë të tillë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
Trump: Veprimi ushtarak ndaj Koresë së Veriut është opsion
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:46 0:00

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG