Ndërlidhjet

Koreja Veriore pretendon se ka kryer test të suksesshëm të Bombës-H


Këmbësorët kalojnë pranë një ekrani televiziv në Tokio, që transmetonte një program lajmesh për një test të mundshëm bërthamor të Koresë së Veriut, më 3 shtator.
Këmbësorët kalojnë pranë një ekrani televiziv në Tokio, që transmetonte një program lajmesh për një test të mundshëm bërthamor të Koresë së Veriut, më 3 shtator.

Koreja Veriore thotë se me sukses e ka kryer testin e një bombe hidrogjenike, e cila mund të ngarkohet në raketat me rreze të gjatë veprimi. Duket se ky është qartas, testi më i fuqishëm atomik deri tash i Phenianit.

Mediet shtetërore veri-koreane kanë raportuar sot se testi i gjashtë atomik i Phenianit ishte “sukses perfekt” dhe është hap “domethënës” në kompletimin e programit të armatimit atomik të këtij vendi.

Nuk ka pasur konfirmim të pavarur se testi i së dielës ishte bombë hidrogjenike (Bombë-H), e cila është më e fuqishme se bombat e rregullta atomike, sikur ajo që Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur në Japoni, pak para se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore.

Nga ana tjetër, qeveria e Japonisë ka konfirmuar se ky vend i izoluar e ka kryer një test atomik, pasi sizmologët kishin detektuar tërmet të fuqishëm në territorin ku Koreja Veriore ka kryer prova të mëparshme.

Prej vitit 2006, Pheniani kryen teste atomike, që paraqesin shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara, dhe kjo ka shkaktuar dënime të ashpra nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera në gjithë botën.

Pas testit të fundit të Phenianit, Koreja Jugore e ka mbajtur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, që është kryesuar nga presidenti, Moon Jae-in.

Zyrtarë të lartë të këtij këshilli thanë se do të përgjigjen me masa ekzistuese, përfshirë kërkesën për sanksione të reja kundër Koresë Veriore, për izolimin e mëtejshëm të këtij vendi.

“Në kuptimin e aleancës sonë me Shtetet e Bashkuara, ne do të diskutojmë për vendosjen e kapaciteteve më të fuqishme strategjike ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Gadishullin Korean”, tha zyrtari i lartë i Koresë Jugore, Chung Eui-zong.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se testi verikorean është “absolutisht i papranueshëm”.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, H.R. McMaster, ka pasur një bisedë telefonike me drejtorin e përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Japonisë, Shotarou Taniuchi, ka njoftuar Qeveria e Japonisë.

McMaster ka dhënë siguri se Uashingtoni fuqishëm është i përkushtuar për mbrojtjen e Japonisë, përfshirë edhe mbrojtjen kundër sulmit atomik, theksohet në kumtesën e Tokios.

Ministria e jashtme e Kinës ka kërkuar nga Koreja Veriore që t’i ndalë aksionet e veta “të gabueshme” dhe ka kërkuar që Pheniani t’i respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rusia tha se testi atomik “meriton dënimin më të fuqishëm” dhe ka bërë thirrje për të gjitha palët e interesuara që “menjëherë t’i kthehen dialogut”.

Presidenti i Framncës, Emmanuel Macron, ka kërkuar përgjigje “shumë të ashpër” nga komuniteti ndërkombëtar ndaj “provokimit të fundit” të Koresë Veriore.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike me seli në Vjenë, Yukiya Amano, tha se testi i fundit i Koresë Veriore është “ekstremisht për keqardhje” dhe “mospërfillje komplete” e kërkesave të përsëritura të komunitetit ndërkombëtar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG