Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur një kërcënim të ri ndaj Teheranit, duke thënë përmes një postimi në Twitter se konflikti mes këtyre dy shteteve do të përbënte “fundin zyrtar” të Iranit, teksa edhe Arabia Saudite ka paralajmëruar se është e gatshme për t’u përgjigjur, dhe se i takon Iranit të parandalojë luftën.
Retorika e ashpërsuar vjen pas sulmeve të javës së kaluar në anijet transportuese të naftës saudite, dhe pas një rakete që është nisur të dielën afër ambasadës amerikane në Bagdad.
“Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë zyrtarisht fundi i Iranit. Mos i kërcënoni më kurrë Shtetet e Bashkuara”, ka thënë presidenti Trump.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se sulmi me raketë në Bagdad nuk ka goditur ndërtesën e SHBA-së dhe nuk ka shkaktuar ndonjë dëm.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, mirëpo Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po e trajtojnë incidentin “shumë seriozisht”.
“Ne e kemi bërë të qartë në dy javët e fundit dhe e theksojmë sërish se sulmet në personelin dhe ndërtesat amerikane nuk do të tolerohen”, ka thënë ky zyrtar përmes një deklarate, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
“Ne do ta mbajmë Iranin përgjegjës nëse sulme të tilla kryen nga rrjetet militante apo forca të ngjashme”, është thënë ndër të tjera në shkresë.
Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur prej majit të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara janë larguar nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.
Exposé: Tensione të reja midis armiqve të vjetër
Sipas marrëveshjes, Irani është zotuar për frenim të aktivitetit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.
Kur ishte larguar nga kjo marrëveshje, Trump pati thënë se kushtet e këtij dokumenti nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin në të krijuarit e armëve bërthamore, si dhe nuk ka përmendur mbështetjen e këtij shteti për grupet militante në rajon.
Ndërkohë Riadi, që ka theksuar që nuk dëshiron nisjen e konfliktit, ka akuzuar Teheranin për urdhërim të sulmeve të javës së kaluar, ndonëse përgjegjësinë për to e ka marrë grupi i militantëve huthi, që kanë lidhje me Iranin.
Irani ka mohuar përfshirjen në këto incidente.
“Mbretëria e Arabisë Saudite nuk dëshiron luftë në rajon dhe nuk po e nxit atë”, ka thënë ministri saudit për Çështje të Jashtme, Adel al-Jubeir në një konferencë për media.
“Mbretëria saudite do të bëjë aq sa mundet për të parandaluar këtë luftë, mirëpo siguron se nëse palët tjera zgjedhin luftën, Arabia Saudite do të përgjigjet me gjithë forcën për të mbrojtur veten dhe interesat e saj”, ka shtuar ai.
Mbreti saudit Salman ka thënë të dielën se ka ftuar liderët e Gjirit Arab për të mbajtur samite urgjente në Mekë më 30 maj, në mënyrë që të diskutohen pasojat e sulmeve.
Princi saudit telefonon Pompeon
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka mohuar mundësinë e shpërthimit të luftës, duke thënë se Teherani nuk dëshiron konflikt dhe asnjë shtet nuk ka “iluzione për t’u përballur me Iranin”.
Një qëndrim i tillë është përmendur më pas nga kreu i Gardës Revolucionare të Iranit.
“Ne nuk jemi duke kërkuar luftë, mirëpo nuk frikësohemi nga ajo”, ka thënë gjenerali, Hossein Salami, ka raportuar agjencia e lajmeve, Tasnim.
Ndërkohë princi saudit, Mohammed bin Salman ka telefonuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me të cilin ka diskutuar zhvillimin rajonal, përfshirë përpjekjet për të siguruar stabilitet, ka njoftuar Ministria saudite për Media përmes një njoftimi në Twitter.
Arabia Saudite sunite dhe Irani me shumicë të myslimanëve shiitë konsiderohen kundërshtarë të ashpër në Lindje të Mesme, pasi përkrahin palë të ndryshme në luftërat në rajon.
Në rritje e sipër të tensioneve, kompania amerikane, Exxon Mobil ka evakuuar stafin e huaj nga Iraku fqinj.
Të shtunën edhe Bahrejni ka paralajmëruar banorët e tij që të mos udhëtojnë në Irak dhe Iran, si dhe u ka kërkuar të kthehen në vendlindje atyre që tashmë janë në ato vende.
Administrata Federale e Aviacionit në SHBA, u ka nisur njoftim kompanive komerciale të fluturimit që të kenë kujdes të shtuar teksa kalojnë mbi ujërat e Gjirit Persik.