Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se 6 miliardë dollarë kredi studentore do të anulohen për 78.000 persona.
Me këtë, vlera e përgjithshme e kredive studentore të anuluara nga administrata Biden arrin në pothuajse 150 miliardë dollarë.
Demokrati Biden vitin e kaluar u zotua se do të gjente mënyra të tjera për të lehtësuar borxhin pasi Gjykata Supreme në qershor bllokoi planin e tij të gjerë për anulimin e 430 miliardë dollarëve në kredi studentore.
Në grupin e fundit të personave që u janë anuluar kreditë studentore janë punëtorët në shërbimet publike sikurse mësuesit, infermierët dhe zjarrfikësit të cilët kanë plotësuar kriteret e Programit për Faljen e Kredive të Shërbimit Publik të krijuar më 2007 me qëllim që të falen kreditë studentore të amerikanëve që punojnë në shërbimin publik.
“Këta punëtorë të shërbimit publik kanë vendosur që në karrierën e tyre t’iu shërbejnë komuniteteve të tyre, por për shkak të dështimeve të administratave të kaluara, kur nuk u ndihmuan ashtu siç e parasheh ligji”, tha Biden përmes një deklarate.
Deri në qershor të vitit 2023, afër 43.4 milionë marrës të kredive studentore në SHBA kishin një borxh të përbashkët në vlerë prej 1.63 trilion dollarësh, sipas ueb-faqes për Ndihmë të Studentëve Federalë. Kreditë për edukim të lartë janë trefishuar që nga kriza financiare e vitit 2008.
Normat e larta të interesit dhe këstet e larta nënkuptojnë se të rinjtë amerikanë kanë vështirësi që të blejnë shtëpi apo të bëjnë investime të tjera dhe demokratët për vite të tëra i kishin bërë presion Qeverisë amerikane që të falte këto kredi. Republikanët gjerësisht kundërshtojnë këto politika.
Biden po kërkon që të fitojë një mandat të dytë gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe për këtë ka nevojë që të fitojë votat e të rinjve.
“Nuk do të dorëzohem dhe do të përdor të gjitha mjetet që kam në dispozicion që sa më shumë amerikanëve t’ua lehtësoj barrën e kredive studentore dhe të ndërtojë një ekonomi të fortë”, tha Biden.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se vendimi i fundit i Bidenit ka bërë që shifra e përgjithshme e faljes së kredive studentore nën administratën Biden të arrijë në 144 miliardë dollarë dhe kreditë studentore u janë falur pothuajse 4 milionë amerikanëve.