Ndërlidhjet

Biden paralajmëron faljen e kredive universitare për miliona studentë


Presidenti Biden njoftoi një plan federal për lehtësimin e kredisë studentore duke thënë se veprimi synon të ndihmojë familjet më nevojë.
Presidenti Biden njoftoi një plan federal për lehtësimin e kredisë studentore duke thënë se veprimi synon të ndihmojë familjet më nevojë.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha të mërkurën se Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të falë nga 10.000 dollarë hua për miliona ish-studentë universitarë, duke mbajtur një premtim që bëri në fushatën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

Gjithashtu presidenti i SHBA-së tha se huamarrësit me të ardhura të ulëta që shkuan në kolegj me grantet 'Pell' do të përfitojnë deri në 20.000 dollarë falje të kredisë studentore.

Ky lehtësim i borxhit do t'u japë dhjetëra miliona huamarrësve pak frymëmarrje në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara.

Kjo lëvizje mund të rrisë mbështetjen për demokratët e partisë së tij në zgjedhjet e Kongresit të nëntorit, por disa ekonomistë thonë se mund të nxisë inflacionin dhe disa republikanë në Kongres ngritën pikëpyetje nëse presidenti kishte autoritet ligjor për të anuluar borxhin.

Kjo masë është "për familjet që kanë më shumë nevojë për to - punëtorët dhe njerëzit e klasës së mesme që u goditën veçanërisht rëndë gjatë pandemisë", tha Biden në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Ai u zotua se asnjë familje me të ardhura të larta nuk do të përfitonte, duke iu përgjigjur kështu njërës prej kritikave kryesore ndaj planit.

Shumë demokratë kishin kërkuar që zoti Biden të falte deri në 50.000 dollarë për çdo huamarrës. Republikanët e kundërshtuan faljen e kredive studentore, duke e quajtur atë të padrejtë sepse do të ndihmojë në mënyrë disproporcionale njerëzit që fitojnë të ardhura më të larta.

"Socializmi i huasë studentore të Presidentit Biden është një shuplakë për çdo familje që sakrifikoi duke kursyer për universitetin, çdo të diplomuar që pagoi borxhin e tij dhe çdo amerikan që zgjodhi një rrugë të caktuar karriere ose shërbeu në Forcat tona të Armatosura për të shmangur marrjen e borxhit," tha të mërkurën udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Konsumatorët amerikanë kanë një borxh prej 1.75 trilion dollarësh në kredi studentore, rezultat i kostos së lartë të shkollimit universitar, shumë më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të pasura. Zoti Biden tha se vendet e tjera mund t’ia kalojnë Shteteve të Bashkuara ekonomikisht nëse studentëve nuk u ofrohet lehtësim ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG