Ndërlidhjet

BE-ja i kërkon sqarime Serbisë për ndalimin e zyrtarëve nga Kosova


Bruksel
Bruksel

Tash e disa muaj me radhë, zyrtarët e institucioneve të Kosovës që i takojnë Partisë së Pavarur Liberale, subjekt ky politik i komunitetit serb, janë duke u ndaluar në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi nga ana e strukturave të sigurisë së Serbisë.

Rasti i fundit është shënuar më 11 maj të këtij viti, kur autoritetet e Serbisë, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, i kanë ndaluar anëtarët e Partisë së Pavarur Liberale, Sreçko Spasiq dhe Srgjan Jovanoviq. Ky i fundit është këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndaj ndalimit të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës të komunitetit serb, ka reaguar edhe kryeministri Haradinaj, i cili e ka cilësuar si të papranueshëm këtë akt.

Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndalimi nga strukturat e sigurisë së Serbisë të pjesëtarëve të komunitetit serb, që janë pjesë e institucioneve qendrore të Kosovës, është jo vetëm shkelje e Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, por cenon rëndë frymën evropiane të bashkëpunimit dhe të idesë së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Si i tillë, ky akt është i paprecedent dhe i dënueshëm. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, fton Brukselin zyrtar, përkatësisht, instancat e Bashkimit Evropian, që seriozisht ta marrin këtë çështje, sepse jo vetëm që zyrtarët e Republikës së Kosovës, të komunitetit serb, po maltretohen, por ata mund të jenë edhe të kërcënuar brenda Kosovës, pasi që Serbia po i stigmatizon si tradhtarë të çështjes serbe, përkatësisht të kombit serb”, thotë Matoshi.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më tash, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, strukturat e sigurisë së shtetit serb kanë ndaluar dhe intervistuar edhe Slobodan Petroviqin, deputet i Kuvendit të Kosovës, Boban Stankoviqin, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, si dhe Nebojsha Jakovljeviqin, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës. Të gjithë këta, janë anëtarë të Partisë së Pavarur Liberale.

*Video nga arkivi:Partia e Pavarur Liberale proteston në Merdare

Partia e Pavarur Liberale proteston në Merdare
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë pranuar “raporte që zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë ndaluar në pikat e kalimit”.

“Marrëveshja për lirinë e lëvizjes ofron garanci të qarta për kalimin e papenguar në Serbi dhe anasjelltas. Ne ende po presim për qartësimet nga Beogradi, pas kërkesës sonë për më shumë informacione”, ka thënë Kocijançiq.

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se është befasues guximi i autoriteteve të Serbisë për të vazhduar me ndalimin dhe intervistimin e njerëzve në vendkalime kufitare dhe për më shumë, pjesëtarët e komunitetit serb.

Sipas tij, tingëllon e pabesueshme që institucionet e Serbisë të shkojnë kaq larg sa që për qëllime dhe agjenda politike të njerëzve në pushtet në Beograd, t’i ndalojnë, arrestojnë, persekutojnë dhe frikësojnë të gjithë njerëzit e komunitetit të tyre që mendojnë ndryshe nga ta.

“Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e (ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Milsheviq) Milosheviqit. Prej atëherë, kjo është diçka e re dhe shumë frustuese për popullatën serbe në Serbi dhe në Kosovë dhe fushatat e ndryshme po vazhdojnë. Kjo është një agjendë politike, e cila nuk ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Kjo ka të bëjë me një agjendë persekutimi, kërcënuese për njerëzit që mendojnë ndryshe dhe ndaj kësaj, të gjithë faktorët ndërkombëtar po heshtin. Por, nuk e besoj që BE-ja do të mund të luajë ndonjë rol të veçantë”, thekson Rashiti.

Ai shton se e gjithë kjo situatë është absurde dhe shfaq bindjen që megjithatë, në një moment të caktuar, do të ketë mobilizim dhe reagime të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtyre zhvillimeve. Por, sipas tij, tash për tash, kjo situatë reflekton pafuqinë e faktorëve ndërkombëtarë në raport me Serbinë.

“Është një agjendë e re, e cila kërkon rikonsolidim të pozicionit ndërkombëtar, por deri tek i cili nuk do të vijë shpejt, sepse faktori ndërkombëtar, për 20 vjet ka intervenuar në baza ditore. Tanimë edhe pesha e atyre intervenimeve në baza ditore po humb dhe për hir të së vërtetës, elementet e pastra demokratike që kanë ekzistuar në Serbi janë duke u shuar. Prandaj, jam i bindur që situata, në periudhat e ardhshme, e sidomos në periudhat kur do të shihet se nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jenë edhe më të vështira”, shprehet Rashiti.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se për autoritetet e Serbisë janë të mirë vetëm qytetarët që i përkasin Listës Serbe, subjekt politik ky, të cilin e ka krijuar vetë Beogradi zyrtar dhe se “të gjithë serbët tjerë, që janë një shumicë e madhe në Kosovë, stigmatizohen, përndiqen dhe persekutohen”.

Por, Rashiti vlerëson se shumica e pjesëtarëve të Listës Serbe nuk pajtohen me qasjen e Beogradit zyrtar ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët mendojnë ndryshe nga ta. Por, sipas tij, ata nuk kanë hapësirë për të kundërshtuar dhe janë shumë të frikësuar që të mendojnë ndryshe, për shkak se janë tërësisht të kontrolluar nga Beogradi zyrtar dhe veprojnë sipas udhëzimeve të tij.

Më 26 prill, pjesëtarët e Partisë së Pavarur Liberale, të prirë nga lideri i tyre, Slobodan Petroviq, në shenjë proteste ndaj ndalimeve që u bëjnë strukturat serbe të sigurisë, kanë kaluar në këmbë kufirin Kosovë-Serbi, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG