Ndërlidhjet

Incidentet në mes serbëve në veri, kanë motive politike


Mitrovicë, foto arkiv
Mitrovicë, foto arkiv

Retorika e ashpër dhe me akuza të ndërsjella ndërmjet subjekteve politike serbe që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 11 qershor, e veçanërisht ndërmjet Listës Serbe dhe Partisë së Serbëve të Kosovës, kanë kulmuar me incidente në komunën veriore të vendit, në Leposaviq.

Me 30 maj, persona ende të paidentifikuar nga organet e rendit, kanë sulmuar me armë zjarri objektin në të cilin gjenden zyrat e kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe Partisë së Serbëve të Kosovës, të cilën e drejton Aleksandar Jabllanoviq. Ky i fundit pati theksuar se sulmi ka ardhur nga njerëz të Listës Serbe, duke thënë se prapa tyre qëndron Beogradi zyrtar.

Jabllanoviq, gjatë ditës së djeshme është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe më pas është liruar, pas një incidenti në Leposaviq, ndërmjet tij dhe simpatizantëve të Listës Serbe. Këta të fundit e kanë akuzuar Jabllanoviqin se i ka kërcënuar me armë zjarri.

Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për veriun e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivet e incidenteve të fundit në Leposaviq, janë krejtësisht politike.

Kur flasim për këto incidente, po flasim për një natyrë të incidenteve, problemeve, përkatësisht, në komunën e Leposaviqit, aty ku bashkësitë e ndryshme politike kanë përçarjet e tyre, në mes vete. Kryesisht, incidentet kanë krejtësisht karakterin politik. Sigurisht që Policia e Kosovës qe disa ditë me radhë, e kam fjalën edhe për këto incidentet e fundit, është fokusuar kryesisht në Komunën e Leposaviqit, aty ku edhe është ky burim i incidenteve të njëpasnjëshme”, thotë Hoti.

Njohësi serb i zhvillimeve politike në vend, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se arsyeja e incidenteve në veri të Kosovës janë zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij, Beogradi zyrtar, i cili ruan autoritetin tek serbët e Kosovës, ka mbështetur vetëm Listën Serbe për garën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, madje edhe duke kundërshtuar subjektet tjera serbe pjesëmarrëse në këto zgjedhje.

Unë këtë e shpjegoj si papjekuri politike të atyre që marrin pjesë në fushatë. Së pari u thanë fjalë të rënda, e pastaj pas tyre vijën edhe incidente të tilla, çfarë edhe kanë ndodhur. Prandaj, duhet bërë apel te pjesëmarrësit në procesin politik, jo vetëm për zgjedhjet, por edhe pas tyre, që t’iu ikin kualifikimeve të rënda si ‘tradhtar’, ‘mercenar’, ‘shpirt i shitur’, etj. Nëse nuk do të ketë sanksione nga ana e institucioneve lidhur me këto fjalë, atëherë më vonë vjen edhe deri të konflikti fizik”, tha Miletiq.

Lidhur me incidentet në veri të vendit, ai e mban përgjegjës edhe Beogradin zyrtar, për faktin se mund të ndikojë tek subjektet politike serbe që t’i ulin tensionet ndërmjet tyre.

Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se incidentet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, kanë të bëjnë me qëllime të përfitimit të grupeve apo organizatave të caktuara dhe nuk bëhet fjalë për përplasje konceptesh apo politikash përmbajtësore. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk mund të ndikojnë në këtë situatë, por ato duhet të ofrojnë siguri për qytetarët dhe politikanët në këtë pjesë të vendit.

Beogradi zyrtar, respektivisht Qeveria e Serbisë, është duke ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në tensionimin e situatës edhe midis serbëve, e jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Një ndërhyrje e tillë pritet të jetë edhe më e madhe në ditët në vijim, në mënyrë që ata të sigurohen që njerëzit, të cilët dirigjohen në mënyrë të plotë nga Beogradi, të fitojnë sa më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, thotë Ramadani.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovës, kanë shprehur “shqetësimin rreth incidenteve, kërcënimeve dhe presionit që po ndodhin në pjesën veriore të Kosovës, në kohën e fushatës zgjedhore”. Ata kanë kërkuar nga të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga praktikat që janë në kundërshtim me parimet demokratike dhe në mënyrë të përpiktë ta respektojnë ligjin.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG