Ndërlidhjet

Sekuestrohen 107 vepra arti në Shqipëri që i përkasin antikitetit grek


Ditë më parë, Shqipëria ia ka kthyer Maqedonisë së Veriut disa ikona që ishin vjedhur para një dekade.
Ditë më parë, Shqipëria ia ka kthyer Maqedonisë së Veriut disa ikona që ishin vjedhur para një dekade.

Policia e Fierit në Shqipëri ka sekuestruar 107 vepra arti, që dyshohet se janë trafikuar nga Greqia.

Disa prej tyre i përkasin periudhës së antikitetit.

Për trafikimin e tyre janë arrestuar dy persona, 51 dhe 57 vjeç.

Policia thotë se ata akuzohen për trafikim të veprave të artit dhe kulturës.

"Vlera e veprave të çmuara arkeologjike që janë trafikuar nga shteti grek, kap vlerën e 1.5 milion eurove. Ndër veprat e sekuestruara janë ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit”, deklaroi drejtori i policisë së Fierit, Lorenc Panganika.

Gjatë kontrollit në banesat e dy të ndaluarve është gjetur edhe një sasi e vogël droge kanabis sativa, municion luftarak dhe një furgon që përdorej për transportin e veprave arkeologjike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.

Zyrtarë të policisë dhe prokurorisë në Fier bënë të ditur se do të bashkëpunohet me policinë greke, për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale, dhe për t'i përballur me drejtësinë edhe shtetasit e tjerë të implikuar.

Pak ditë më parë, më 15 dhjetor, Shqipëria ia ktheu 20 ikona fqinjës së saj, Maqedonisë së Veriut, të cilat ishin vjedhur para një dekade.

Ato ishin pjesë e 476 ikonave të vjedhura, që Policia e Shqipërisë i kishte sekuestruar në vitin 2013.

Asokohe u themelua një grup punues për vlerësimin dhe kategorizimin e ikonave të kapura, për të kuptuar se nga vinin dhe kujt i përkisnin.

Marrëveshja për kthimin e tyre u nënshkrua më 14 nëntor të vitit 2022, gjatë një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive në Shkup, ku u ekspozua në mënyrë simbolike ikona e “Shën Ilisë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG