Visar Ymeri fajëson LDK-në
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka fajësuar partinë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se kjo parti politike kishte të pranishme në sallë një deputete në seancën e thirrur nga Qeveria për emërimin ekipit negociator.
Sipas Ymerit, prania në sallë e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova i ka mundësuar koalicionit që t’i ketë 61 deputetë në Kuvend, çka sipas tij, ka mundësuar edhe kuorumin për punë.
Përndryshe, tha Ymeri, koalicioni nuk do të kishte numrin e nevojshëm të deputetëve për zhvillimin e seancës.
Partitë opozitare kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria e Kosovës, ku pritet të votohet për ekipin negociator në dialogun me Serbinë.
Thirrjet e presidentit Thaçi për ekip uniteti
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdimisht ka bërë thirrje për krijimin e një ekipi të unitetit.
Opozita, ndërkaq, ka deklaruar se ka kushte për përfshirjen e saj në fazën finale të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Thaçi i ka ftuar të gjithë që të bëhen pjesë e dialogut, por është zotuar që procesin do ta udhëheqë vet.
Lexoni edhe këtë: Thaçi i fton të gjithë, por dialogun zotohet se do ta udhëheqë vet
Shpallet pauzë para votimit për ekipin negociator
Pas debatit të zhvilluar në lidhje me emërimin e ekipit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, kryesuesi i seancës, deputeti Xhavit Haliti, kërkoi pauzë prej 15 minutave.
Haliti tha se nevojiten disa konsultime para se të nis procedura e votimit.
Kërkohet që në dialog të përfshihet edhe çështja e të pagjeturve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar që në bisedimet me Serbinë, të diskutohet edhe çështja e personave të pagjetur.
“Në këtë pikë të diskutimeve duhet të diskutohet edhe fati i personave të pagjetur. Unë mbështesë kërkesën që ky ekip të raportojë në Kuvend”, tha deputetja Deliu-Kodra.
Ajo po ashtu kërkoi që partitë opozitare, të lënë anash, siç u shpreh ajo, “inatet politike” dhe të bëhen pjesë e procesit të dialogut.
Nga lufta e fundit, në Kosovë konsiderohen të zhdukur 1648 persona.
Facebook Forum