LDK nuk merr pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri Haradinaj
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas konsultimeve me grupet tjera opozitare, nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 9:00 të Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se thirrja e kësaj seance është përpjekje për të prishur seancën e orës 10:00, për të cilën kishte pajtim dhe mbështetje për rezolutën e forcave politike në opozitë, e cila thekson se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm.
Sipas tij, partitë në pushtet "janë bërë pjesë e planeve të Presidentit Hashim Thaçi për të bërë pazar me territorin e Republikës së Kosovës".
Ekipi negociator pret miratimin e Kuvendit
Me kërkesë të Qeverisë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë të jashtëzakonshme për miratimin e përbërjes së ekipit negociator për dialogun me Serbinë.
Në krye të këtij ekipi është propozuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i Partisë Nisma Socialdemokrate.
Zëvendëskryesues do të jetë zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj, ndërsa anëtarë do të jenë: Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi e Mahir Yagcillar.
Qeveria ka kërkuar që edhe partitë opozitare të caktojnë nga një përfaqësues në këtë ekip.
Facebook Forum