Ndërlidhjet

Rasti Banjska: Tre të akuzuar nuk e pranojnë fajësinë

E përditësuar

Të akuzuarit në rastin Banjska: Njëri mohon fajësinë, dy nuk deklarohen
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Të akuzuarit në rastin Banjska: Njëri mohon fajësinë, dy nuk deklarohen

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt të mërkurën seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën dy të akuzuar, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, nuk pranuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit.

Gjykatësi i rastit konstatoi se me ligj, ky veprim do të thotë se ata nuk e pranojnë fajësinë.

I akuzuari i tretë i pranishëm në sallën e gjyqit, Dushan Maksimoviq, u deklarua i pafajshëm.

"Ai pohon se nuk është i përfshirë në këto vepra kriminale, ndaj, në përputhje me rrethanat, do ta parashtrojmë kërkesën për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave", tha avokatja e tij, Jovana Fillipoviq.

Avokati i Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se të akuzuarit kanë të drejtë ta pranojnë ose ta pranojnë pjesërisht fajësinë në një fazë të mëvonshme.

Seanca e së mërkurës nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre - Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq - janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Pas seancës së sotme, mbrojtja i ka 30 ditë kohë për të apeluar aktakuzën.

Në seancë nuk u përmend gjykimi në mungesë i të akuzuarve të tjerë.

Çka kanë thënë tre të akuzuarit?

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njëri prej tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim në Kosovë është mbrojtur në heshtje.

Një tjetër ka deklaruar në Stacionin policor të Mitrovicës më 24 shtator, 2023, se një ditë më herët ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me tre persona (po ashtu të akuzuar), me të cilët, në mënyrë të organizuar me disa vetura, kanë shkuar në Banjskë, ku u janë dhënë uniforma dhe armatim.

Atij i është thënë se “do të bëhet një barrikadë me kamion dhe një protestë, për të cilën ka menduar se është paqësore”.

“Por, pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por se është detyruar t’u bindet urdhrave”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, ai ka thënë se gjatë natës ka qëndruar në një veturë dhe pastaj në afërsi të një ujëvare dhe në mal, dhe se “asnjëherë nuk ka shtënë me armë”.

Më vonë, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se rreth dhjetë vetura të tipit Jeep pa targa, kanë ardhur nga Serbia me rreth 50 persona, shumicën e të cilëve ka thënë se nuk i ka njohur.

“Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë presion apo kërcënim për të marrë pjesë në këtë grup dhe se vullnetarisht është bërë pjesë e tij...”.

Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq u arrestuan pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Atë ditë, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit më pas, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t'u përgatitur.

Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk parashihet me ligjet e Kosovës.

Në fund, gjyqtari i rastit, Arben Hoti, tha se do të kërkojë një opinion juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, kur bëhet fjalë për gjykimin në mungesë, dhe konstatoi se ka kushte për t'i gjykuar ata që ndodhen në paraburgim në Kosovë.

Gjykata Supreme konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën për këtë çështje, më 30 shtator, dhe se lënda po shqyrtohet.

Zyrtarë të saj theksuan se nuk ka ndonjë afat brenda të cilit Gjykata Supreme e Kosovës duhet të japë mendimin e saj juridik.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Më herët, prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal - nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Hetime të sulmit në Banjskë po bën edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila e ngarkon Radoiçiqin me tri vepra penale - në mesin e të cilave janë: prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

*Shënim: Në versionin e parë të këtij lajmi është thënë se të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG