Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u ankua të hënën në Gjykatën e Posaçme të Apelit ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ia caktoi atij masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Më 22 tetor, SPAK-u i vendosi këto masa ndaj tij pas një hetimi nën dyshimet se Berisha ishte përfshirë në “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, e akuzoi të hënën SPAK-un se e ka shkelur ligjin me vendimin për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Berishës dhe duke mos e publikuar atë vendim.
“Vendimi për seancën e verifikimit të ekzekutimit [të vendimit] nuk është depozituar akoma, kjo është një shkelje flagrante, një përpjekje e gjykatës edhe për të na humbur afatin. Ne e kemi dorëzuar dhe kemi thënë shkakun përse ky ankim është i paplotësuar për pjesën e verifikimit të masës. Të dyja vendimet janë pasojë e moskonsiderimit të provave dhe rrethanave ashtu siç ligji e kërkon. Të dyja vendimet janë nul [të pavlefshme]”, th Gjokutaj.
Më 26 tetor, SPAK-u e urdhëroi ish-kryeministrin të paraqitet dy herë në muaj para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar që Berisha “të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizim të gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit”.
Berisha ka thënë se nuk do të paraqitet para SPAK-ut për t’u marrë në pyetje dhe se hetimi ndaj tij është “i pabazuar në prova” dhe i motivuar politikisht. Ai ka paralajmëruar aksion opozitar në Kuvend, si dhe protesta.
Për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” është arrestuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” si dhe për “pastrim parash”. Ndërsa ortaku i tij, ndërtuesi Fatmir Bektashi, po hetohet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Hetimet nga SPAK-u nisën pas një kallëzimi të dorëzuar në vitin 2020 nga Taulant Balla, tani ministër i Brendshëm. Në kallëzim theksohej se “Jamarbër Malltezi privatizoi kompleksin Partizani në mënyrë të paligjshme me një shumë rreth 100 mijë euro, ndërsa në këtë zonë tashmë janë ngritur disa pallate për banim. Kjo u arrit përmes vendimeve favorizuese të qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha”.
Kompleksi sportiv “Partizani”, me një sipërfaqe prej 26 mijë metrash katrorë, u privatizua në vitin 2008, deri në atë kohë ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth 22 mijë metra katrorë i përkisnin 64 trashëgimtarëve të pesë familjeve të ish-pronarëve, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa 4 mijë metra katrorë të tjerë ishin pronë shtetërore. Në fund të procesit të kthimit të kësaj prone, Jamarbër Malltezi arriti të marrë 35 % të të gjithë pronës, duke përfshirë këtu edhe pjesën që ishte tokë shtetërore.
Sipas padisë së dorëzuar në SPAK, kjo është bërë përmes vendimeve të dyshimta të Qeverisë së Sali Berishës. Në atë sipërfaqe të përfituar, Jamarbër Malltezi së bashku me ortakun e tij Fatmir Bektashi, kanë ndërtuar disa kulla.
Për këto ndërtime, në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, theksohet se nuk dihet burimi i të ardhurave. Për këtë çështje janë thirrur në SPAK disa ish-ministra të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë nga Qeveria e atëhershme e Berishës.
Ish kryeministri Sali Berisha, dhe familja e tij, përfshirë edhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet se janë të përfshirë në korrupsion të lartë dhe cenimit të demokracisë.