Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Përdorimi i dinarit serb dhe nevoja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë vetëm disa prej arsyeve pse Perëndimi i ka rritur thirrjet ndaj Kosovës që t’i mbrojë minoritetet. Në Kosovë, në anën tjetër, deklarohen se Kushtetuta e Kosovës është ndër më të avancuarat në këtë drejtim.
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Kohëve të fundit, ndaj Kosovës sa vijnë e shtohen kërkesat për trajtim më të mirë të minoriteteve në vend. Dinari serb e Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë vetëm dy prej arsyeve.
Së voni, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar se janë të shqetësuar me trajtimin e minoriteteve në Kosovë.
Por, zyrtarë e ish-zyrtarë të Kosovës, në anën tjetër, janë deklaruar disa herë se vendi gëzon ligjet më të mira në rajon e përtej, për të drejtat e minoriteteve.
Sipas regjistrimit të popullsisë më 2011, 91 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, 3.4 për qind janë serbë, ndërsa 5.6 përqindëshi tjetër përbëhet nga boshnjakët, goranët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Serbët në veri e patën bojkotuar atë vit regjistrimin e organizuar nga autoritetet e Kosovës dhe pothuajse e njëjta gjë po ndodh edhe gjatë procesit të sivjetmë.
Çfarë thonë raportet për Kosovën?
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit [DASH] për të Drejta të Njeriut, dhe atë të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, për vitin 2023, në pjesën për Kosovën është thënë se ndonëse ekziston korniza ligjore, minoriteti serb dhe minoritetet e tjera etnike kanë vazhduar të përballen me diskriminim në shoqëri dhe në sektorin e punësimit.
Ndonëse ligji kërkon që 10 për qind e të punësuarve në sektorin publik të jenë nga minoritetet etnike, diçka e tillë nuk ka ndodhur, ose ka ekzistuar tendenca që ata të punësohen nëpër pozita më të ulëta.
“Pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptianë shpesh përballen edhe me mungesë për qasje në higjienë bazike, kujdes shëndetësor dhe edukim, dhe varen kryesisht prej ndihmës humanitare për jetesë”, është thënë ndër tjerash në raportin e DASH-it.
Situata në terren
Miodrag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare "Qendra për Veprime Afirmative Sociale", në veri të Kosovës, pajtohet që Kushtetuta e Kosovës është ndër më të avancuarat, por problemi është te mungesa e zbatimit të saj.
Ndër problemet kyçe ai përmend atë të përdorimit të gjuhës. Krahas gjuhës shqipe, Kushtetuta e Kosovës e njeh edhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare.
“Kuvendi i Kosovës nuk ofron përkthyes të gjuhës serbe, konferencat e kryeministrit mbahen pa përkthyes, njerëzit nuk mund të shkojnë në banka”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Disa kolegë gazetarë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, kohëve të fundit Qeveria po dërgon linqe për përkthim për konferenca, por jo edhe për ngjarjet tjera, dhe se cilësia e përkthimit është e dobët.
Ndërkohë, dikush edhe mund të pretendojë se serbët nuk po dëshirojnë t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre, duke marrë shembullin e vitit 2022, kur në mënyrë masive janë dorëhequr prej institucioneve të Kosovës, për shkak të vendimit për ndryshimin e targave të makinave.
Në raportet e organizatave ndërkombëtare është thënë se ky vendim ka ndikuar në zvogëlimin e qasjes në drejtësi për komunitetin serb në veri.
Shembull tjetër është edhe bojkotimi i procesit zgjedhor në veri, vitin e kaluar dhe këtë vit.
“Personalisht, mendoj se tërheqja prej institucioneve ka qenë gabim dhe e kam dënuar publikisht këtë veprim, sepse besoj fuqishëm që serbët në Kosovë mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre vetëm duke punuar nëpër institucione, ndonëse nuk është e lehtë”, thotë Marinkoviq, duke përmendur ndikimin që ka pasur politika në klimën ndëretnike.
Ai përmend nevojën e krijimit të një sistemi ku çështjet politike nuk përfshihen në çështjet ligjore, si dhe atë të ringjalljes së dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, pasi, sipas tij, shërben në të mirë të të dyja palëve.
Fatmir Menekshe nga organizata e parë joqeveritare e komunitetit rom në Kosovë “Durmish Aslano”, beson që më shumë punë duhet të bëhet në terren, duke ndarë fonde, pasi në institucionet qeveritare ulëset veçse janë të rezervuara.
“Në shumicën e rasteve, fondet keqpërdoren dhe aty bëhet derdhja e parave në duart e gabuara. Prandaj, komuniteti mbetet në një pozitë [të pandryshueshme] dhe shumë ngadalë po përmirësohet gjendja e tij”, thotë Menekshe.
Ndër nevojat primare ai përmend hapjen e vendeve të reja të punës dhe respektimin e të drejtës së gjuhës siç parashihet me ligj, pasi në disa komuna përkatëse gjuha rome mund të njihet si gjuhë për përdorim zyrtar.
Deri më tani, vetëm Graçanica dhe Prizreni e respektojnë këtë pikë të ligjit.
Për çka mund të lavdërohet Kosova?
Marinkoviq përmend lirinë e lëvizjes – një serb mund të udhëtojë dhe të flasë kudo në Kosovë në serbisht, pa pasur frikë.
Menekshe përmend, mes tjerash, redaksinë e gjuhës rome në Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe mësimin fakultativ të gjuhës rome si lëndë zgjedhore – por vetëm në Prizren – mundësi, që sipas tij, jo shumë vende në rajon i kanë.
Zëvendësndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit në Byronë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, ka thënë më 21 maj se është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të angazhohet në mënyrë më aktive me pjesëtarët e komuniteteve pakicë dhe t’i përfshijë ata në procesin e politikëbërjes.
“Kosova është shtëpi e shumë serbëve etnikë dhe ata meritojnë t’i mbajnë familjet dhe bizneset e tyre këtu”, ka thënë mes tjerash Chulick.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- “E lindur për së dyti” - Gratë luftojnë dhunën në familje me pavarësim financiar
- Makinë, transport publik apo më këmbë?
- Zjarret e përjetshme të Rumanisë
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.