Ndërlidhjet

Rusia godet Kievin me dronë disa orë para samitit të NATO-s


Luftime në qytetin e Bahmutit në rajonin e Donjeckut. Fotografi e realizuar më 5 korrik, 2023.
Luftime në qytetin e Bahmutit në rajonin e Donjeckut. Fotografi e realizuar më 5 korrik, 2023.

Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë kamikazë në Kiev në orët e para të 11 korrikut, thanë zyrtarët ukrainas.

Ky zhvillim ndodhi pak para fillimit të samitit të NATO-s në Lituani, ku diskutimet për ndihmën ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus dhe marrëdhënia e saj e ardhshme me Aleancën do të jenë tema kryesore.

Para fillimit të samitit, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden planifikon të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Vilnius, më 12 korrik.

Sulmi i fundit me dronë në Kiev, i dyti këtë muaj, u tha se u zmbraps nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla, sipas vlerësimeve fillestare.

“Të gjitha objektivat ajrore që po lëviznin në drejtim të Kievit u shkatërruan nga forcat tona të mbrojtjes ajrore”, tha kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, Serhiy Popko, në Telegram.

Mbrojtja ajrore ukrainase tha se kishte shkatërruar 26 nga 28 dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të lëshuar nga Rusia.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se mbetjet që ranë nga dronët e shkatërruar shkaktuan dëme të vogla, si xhama të thyer në disa ndërtesa në zonën përreth Kievit.

Në Vilnius, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, njoftoi më 11 korrik se NATO do t'i ofrojë Ukrainës një udhërrëfyes reformash për të lehtësuar anëtarësimin e saj të ardhshëm në aleancë.

Megjithatë, ai sqaroi se ky udhërrëfyes nuk do të përfshijë një afat specifik për pranimin e Ukrainës.

Zelensky më 10 korrik u kërkoi përsëri aleatëve perëndimorë një "sinjal të qartë" mbi perspektivat e anëtarësimit të vendit të tij në NATO.

"Ukraina e meriton të jetë në aleancë. Jo tani, sepse tani ka luftë, por ne kemi nevojë për një sinjal të qartë dhe ky sinjal është i nevojshëm tani", tha Zelenskiy në një video-mesazh të postuar në Twitter.

Përpara samitit të Vilnius, vendet anëtare të NATO-s mbeten të ndara në qëndrimet e tyre në lidhje me rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një konferencë për shtyp se do të ketë më shumë takime, duke shtuar se nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, por ai është "absolutisht i sigurt se ne do të kemi unitet dhe një mesazh të fortë për Ukrainën".

Moska paralajmëroi përsëri kundër lejimit të Kievit në aleancë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kjo do të kishte një ndikim "shumë, shumë negativ" në sigurinë e Evropës dhe Moskës do të duhet të mendojë për një përgjigje "të vendosur" ndaj asaj që ai e quajti "një rrezik absolut dhe një kërcënim për vendin tonë".

Presidenti Vladimir Putin ka përmendur zgjerimin e NATO-s drejt lindjes si arsye për vendimin e tij për të dërguar forcat e tij të armatosura në Ukrainë në shkurt 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG