Ndërlidhjet

Rusia thotë se i ka lëshuar mbi 80 mijë pasaporta për ukrainasit


Një punonjëse rregullon pasaportat ruse në një fabrikë në Moskë, më 11 korrik 2019. Fotografi ilustruese.
Një punonjëse rregullon pasaportat ruse në një fabrikë në Moskë, më 11 korrik 2019. Fotografi ilustruese.

Moska zyrtare tha të martën se i ka lëshuar më shumë se 80 mijë pasaporta ruse për qytetasit e katër territoreve në Ukrainë që kur presidenti Vladimir Putin shpalli aneksimin e tyre, në shtator.

Në shtator, Rusia i kishte mbajtur të ashtuquajturat referendume në katër rajone të Ukrainës – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson – dhe tha se qytetarët kishin votuar 'pro bashkimit me Rusinë'.

“Që nga shtimi i katër rajoneve në Federatën Ruse, në pajtim me ligjin, më shumë se 80 mijë njerëz kanë marrë pasaporta si qytetarë të Federatës Ruse”, tha Valentina Kazakova, zyrtare për emigrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sipas agjencive të lajmeve në Rusi.

Putini i kishte aneksuar formalisht ato territore në një ceremoni në Kremlin në tetor, edhe pse forcat e tij ushtarake nuk kanë pasur asnjëherë kontroll të plotë mbi ato zona.

Kombet e Bashkuara (OKB) e kritikuan “aneksimin ilegal të tentuar” të tokës ukrainase dhe kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar “të mos njihen ndryshimet në kufij të shpallura nga Rusia”.

Që nga atëherë, Rusia ka humbur pjesë të territorit që e kontrollonte më parë në Ukrainë.

Në nëntor, Moska i tërhoqi trupat nga Hersoni, qyteti kryesor në rajonin që mban të njëjtin emër dhe e vetmja kryeqendër rajonale, të cilën e kishte marrë Rusia në ofensivën në Ukrainë.

Nga fillimi i fushatës ushtarake në shkurt, Kremlini i ka lehtësuar procedurat që ua mundësojnë ukrainasve të marrin nënshtetësi ruse dhe i ka lejuar shtetasit me pasaportë ukrainase të jetojnë dhe punojnë në Rusi pa afat të caktuar dhe pa leje pune.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG