Ndërlidhjet

Putin nënshkruan ligjin për aneksim të katër rajoneve ukrainase


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Donjeku, Luhansku, Hersoni dhe Zaporizhja janë rajone që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Ditë më parë, dokumentet për aneksim i kanë miratuar të dyja dhomat e Parlamentit rus.

Putin e ka bërë të ditur vendimin për aneksim pas mbajtjes së të ashtuquajturave referendume në këto katër rajoneve.

Perëndimi dhe Kievi i kanë konsideruar këto procese si mashtruese dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Sipas marrëveshjeve të nënshkruara javën e kaluar, në mes të Putinit dhe zyrtarëve të mbështetur nga Moska në këto katër rajone, periudha e tranzicionit në territoret e aneksuara – ashtu që të jenë tërësisht të inkorporuara në Rusi – do të zgjasë deri më 1 janar të vitit 2026.

Zgjedhjet lokale në këto territore është paraparë që të mbahen në shtator të vitit 2023.

Meqë Rusia nuk i kontrollon plotësisht këto rajone, Kremlini ende nuk i ka vendosur kufijtë e rinj.

Në dokumentet e nënshkruara nga Putini është thënë se rajonet Donjeck dhe Luhansk do të jenë pjesë e Rusisë si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut.

Kufijtë do të përcaktohen sipas situatës së vitit 2014, kur këto dy rajone ukrainase janë marrë me forcë nga separatistët e mbështetur prej Rusisë.

Ukrainasit që jetojnë në territoret e aneksuara do të konsiderohen shtetas rusë, përveç nëse informojnë autoritetet lokale se nuk duan diçka të tillë.

Ata kanë një muaj, sipas dokumenteve, që të marrin vendim.

Vendimi i Putinit për aneksim të territoreve është konsideruar shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se Uashingtoni “nuk do t’i njohë kurrë territoret e Ukrainës, si diçka tjetër përveç si Ukrainë”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG