Rusia tha se kundërshton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut, apo veprimet ushtarake kundër saj.
Në një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i bëri thirrje SHBA-së që të përmbahet nga çdo veprim i tillë kundër Phenjanit.
Koreja e Veriut ka shkaktuar alarm të martën, duke lëshuar një raketë mbi Japoni. Raketa ka kaluar mbi ishullin Hokaido përpara se të binte në det.
Koreja e Veriut ka thënë se ky ka qenë “hapi i parë” i operacioneve më të gjera ushtarake në Paqësor dhe ka përsëritur kërcënimet për ishullin amerikan Guam.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se hedhja e raketës mbi Japoni bën që “të gjitha opsionet të jenë në tryezë”.
Britania dhe Japonia hodhën mundësinë e sanksioneve të reja në Kombet e Bashkuara, duke thënë se masat paraprake, përfshirë kufizimin e verikoreanëve që punojnë jashtë vendit, nuk kanë bërë punë.
“Është koha që të shqyrtohen kufizime të reja ndaj regjimit verikorean”, ka thënë ambasadori i Britanisë në OKB, Matthew Rycroft.
Japonia i është bashkuar Britanisë duke kërkuar kufizime të mëtejshme të verikoreanëve që punojnë jashtë vendit, si dhe sanksione mbi eksportet e tekstilit të Koresë Veriore dhe furnizimet me naftë.
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se shumica e verikoreanëve që punojnë jashtë vendit – 60 mijë deri në 100 mijë sish – janë të punësuar në Rusi dhe Kinë dhe fitojnë deri në 2.3 miliardë dollarë në vit.
Kjo i siguron Phenjanit para të gatshme të huaja, në kohën kur qasja e tij në monedha të forta është e kufizuar nga sanksionet.
Edhe Rusia, edhe Kina, që i kundërshtojnë sanksionet e mëtejshme, kanë fuqi të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë bisedës me Tillersonin, Lavrov po ashtu paralajmëroi Shtetet e Bashkuara kundër veprimeve ushtarake në Korenë e Veriut, duke thënë se ato do të kishin “pasoja të paparashikueshme”.
Presidenti amerikan, Donlad Trump, ka shkruar në Twitter se “bisedimet nuk janë përgjigje” për ambiciet ushtarake të Phenjanit.
Por, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë më pas se SHBA “nuk është kurrë pa zgjidhje diplomatike” në rastin e Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut ka kryer disa prova raketore kohëve të fundit, por të martën ka qenë hera e parë që ajo ka lëshuar mbi Japoni një armë balistike.
Përgatiti: Valona Tela