Ndërlidhjet

Rusia intensifikon sulmet në Severodonjeck teksa tre liderë evropianë vizitojnë Kievin


Shkatërrimi i rajonit Luhansk, lindje e Ukrainës.
Shkatërrimi i rajonit Luhansk, lindje e Ukrainës.

Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në Severodonjeck, në përpjekje e sipër për të marrë kontrollin e këtij qyteti kyç në rajonin lindor, Donbas.

Ndërkohë tre liderët evropianë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministri italian, Mario Draghi janë nisur të enjten me tren nga Polonia për në Kiev.

Ukraina ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe më pak Italinë për atë që është konsideruar si hezitim për të mbështetur Kievin dhe për të nisur më shpejt armët.

Sa i përket fushëbetejës, Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhny, ka thënë se Rusia ka koncentruar forcat kryesore në rajonin Luhansk dhe po tenton të sulmojë vazhdimisht nga nëntë drejtime.

“Vazhdon lufta e ashpër për rajonin Luhansk”, ka thënë Zaluzhny përmes një mesazhi online.

Rusët janë duke sulmuar nga ajri, me granata dhe artileri, ka shtuar ai.

Luftimet për Severodonjeckun janë duke vazhduar tash e disa javë, teksa Rusia avancon në rajonin e Donbasit.

Marrja e Severodonjeckut – qytetit më të madh në Luhansk - do t’i mundësonte Moskës që të avanconte në Sllovjansk dhe Kramatorsk, rajone më afër perëndimit të Ukrainës.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 16 qershor se ndonëse situata vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë për mbrojtësit e Severodonjeckut, Ukraina duket se ka arritur të largojë një pjesë të madhe të forcave luftarake që kanë qenë në këtë qytet.

Gjenerali amerikan, Mark Milley, ka thënë më 15 qershor se pavarësisht faktit që Rusia ka më shumë forca ushtarake dhe pajisje ndaj forcave ukrainase në rajonin e Donbasit, kontrollimi i lindjes së Ukrainës nga ana e palës ruse, “nuk është gjë e kryer”.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 12,000 civilë janë të bllokuar në Severodonjeck, pa furnizime, dhe shumë prej tyre janë duke u strehuar në bunkerët afër centralit kimik Azot, që gjendet në qytet.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG