Ndërlidhjet

Zelensky: Fati i Donbasit do të përcaktohet nga beteja në Severodonjeck


Rajoni i Luhanskut, ku gjendet Severodonjecku.
Rajoni i Luhanskut, ku gjendet Severodonjecku.

Beteja për qytetin e Severodonjeckut është brutale dhe do të përcaktojë fatin e rajonit të Donbasit, tha presidenti ukrainas, teksa trupat ruse po sulmojnë këtë qytet duke synuar që ta kontrollojnë lindjen e Ukrainës.

Pasi dështoi që ta marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, Kremlini tani po synon që ta “çlirojë” plotësisht rajonin lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar me forcat ukrainase që nga viti 2014.

Rreth një e treta e Donbasit ka qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

“Kjo është një betejë shumë brutale, shumë e rëndë, ndoshta më e rënda përgjatë kësaj lufte”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përmes një video-mesazhi.

“Severodonjecku vazhdon të jetë epiqendra e luftimeve në Donbas... Gjerësisht, këtu po përcaktohet fati i Donbasit tonë”, shtoi ai.

“Legjioni i huaj” i Ukrainës, në frontin e luftës në Severodonjeck
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:38 0:00

Luftëtarët ukrainas u tërhoqën në periferi të Severodonjeckut të mërkurën, por ata janë zotuar se do të luftojnë atje për aq kohë sa të munden.

Granatimet me artileri e kanë shndërruar këtë qytet në Luhansk në një gërmadhë. Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Gaida, tha se qendra e qytetit po shkatërrohet.

“Luftëtarët tanë po rezistojnë në zonën industriale të Severodonjeckut. Por, luftime nuk ka vetëm në zonën industriale, por edhe në qytetin e Severodonjeckut”, tha Gaida për një televizion ukrainas të mërkurën mbrëma.

Forcat ukrainase ende vazhdojnë ta kenë nën kontroll qytetin Lisiçansk, të cilin e ndan një lumë me Severodonjeckut, por sipas guvernatorit të Luhanskut, forcat ruse po sulmojnë ndërtesat e banuara atje.

Sipas autoriteteve në Luhansk, afër 15,000 civilë vazhdojnë të jenë në Severodonjeck dhe Lisiçansk.

Ambasadorja e Kievit në Kombet e Bashkuara ka thënë për CNN se trupat ukrainase janë në disavantazh numerik në Luhansk dhe Donjeck, dy provinca që e përbëjnë Donbasin.

Por, “ne veçse e kemi parë betejën për Kievin, ne mund të humbim territor përkohësisht. Sigurisht, ne po tentojmë ta minimizojmë këtë sepse ne e dimë se çfarë mund të ndodhë kur rusët kontrollojnë territore, por ne do t’i kthejmë ato territore”, tha ambasadorja Oksana Markarova.

Ndërkaq, sipas guvernatorit të Luhanskut Gaidai, Rusia tani kontrollon 98 për qind të territorit të kësaj province.

Në perëndim të Severodonjeckut, në Slloviansk, që është një prej qyteteve kryesore në Donbas që është në kontrollin ukrainas, gratë dhe fëmijët e vegjël të mërkurën u panë në radhë duke pritur për ndihmë humanitare.

Shumica e banorëve të këtij qyteti kanë ikur, por autoritetet thonë se afër 24,000 persona vazhdojnë të jenë në qytet. Ky qytet konsiderohet se mund të jetë vendi i radhës që forcat ruse, që po rigrupohen, do të sulmojnë.

Sipas Kombeve të Bashkuara mbi 7 milionë banorë janë larguar nga Ukraina qëkur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG