Ndërlidhjet

Paralajmërimet e Perëndimit pas fillimit të stërvitjeve Rusi-Bjellorusi  


Foto e marrë nga video e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes Ruse të shtunën më 5 shkurt 2022.
Foto e marrë nga video e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes Ruse të shtunën më 5 shkurt 2022.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, paralajmëroi homologun e saj rus, Sergei Lavrov, se sulmi kundër Ukrainës do të ishte “katastrofik”.

Britania e Madhe është vendi i fundit që u bashkohet turneve diplomatike, me qëllim uljen e tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Shteti rus ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me fqinjin e tij dhe Perëndimi dyshon se është në prag të pushtimit.

“Në thelb, një luftë në Ukrainë do të ishte katastrofike për popullin rus dhe ukrainas dhe për sigurinë evropiane. NATO e ka bërë të qartë se çdo pushtim i Ukrainës do të kishte pasoja të rënda dhe do të kishte kosto të larta”, i tha Truss Lavrovit gjatë takimit në Moskë të enjten më 10 shkurt.

Duke iu përgjigjur komenteve të Sekretares britanike në të njëjtën konferencë për shtyp, Lavrov paralajmëroi se kërcënimet perëndimore ndaj Moskës vetëm do të rrisin tensionet.

“Qasjet ideologjike, ultimatumet, kërcënimet – kjo rrugë nuk çon askund”, tha Lavror, duke shtuar se “marrëdhëniet mund të normalizohen vetëm nëpërmjet dialogut”.

Kryediplomati rus shtoi se marrëdhëniet dypalëshe ishin në nivelin e tyre më të ulët, por, sipas tij, Moska ishte e gatshme të përmirësonte raportet.

NATO: Rusia ose në rrugë diplomatike, ose e sanksionuar

Në përpjekje të koordinuar diplomatike të Britanisë, kryeministri Boris Johnson udhëtoi në Bruksel për konsultime dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se Rusia duhet të zgjedhë midis një zgjidhjeje diplomatike të krizës me Ukrainën ose të përballet me sanksione ekonomike nga Perëndimi dhe një prani të shtuar ushtarake të forcave të NATO-s në vendet lindore të aleancës.

“Rusia e ka një zgjidhje: ose mund të zgjedhë një zgjidhje diplomatike - dhe ne jemi gati të ulemi të bisedojmë- por nëse ata zgjedhin konfrontimin, ata do të paguajnë një çmim më të lartë”, tha Stoltenberg .

Pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia, sipas kryeministrit britanik, do të ishte “ndoshta momenti më i rrezikshëm” sa i përket krizës së sigurisë me të cilën është përballur Evropa në dekada.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje të BBC-së, ai tha se nuk mendon se është marrë një vendim në Moskë për pushtimin e Ukrainës, por thotë se kjo do të ishte një luftë katastrofike.

Pas Brukselit, Johnson do të shkojë në Varshavë për të takuar presidentin polak, Andrzej Duda. Ndërkohë, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, të premten më 11 shkurt do të shkojë në Moskë.

Stërvitjet e përbashkëta Rusi-Bjellorusi, “presion psikologjik”

Derisa liderët evropianë dhe diplomatët më të lartë botërorë përpiqen të gjejnë zgjidhje për të zbutur krizën, Rusia dhe Bjellorusia kanë filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

Stërvitjet që pritet të mbahen deri më 20 shkurt në Bjellorusi, do të përqendrohen rreth “shtypjes dhe zmbrapsjes së agresionit të jashtëm”, tha Ministria e Mbrojtjes në Rusi përmes një deklarate.

Moska dhe Minsku nuk kanë bërë të ditur se sa trupa po marrin pjesë në stërvitje, por Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia po planifikonte të dërgonte 30,000 trupa në disa rajone në Bjellorusi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur “presion psikologjik” stërvitjet e përbashkëta ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Grumbullimi i forcave në kufi është presion psikologjik nga fqinjët tanë”, tha Zelensky përmes një deklarate për shtyp.

“Sot kemi mjaft forca për të mbrojtur vendin tonë me nder”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve perëndimore, Kremlini ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend tí lërë trupat përgjithmonë në territorin bjellorus.

Në anën tjetër, Ukraina ka filluar stërvitjet ushtarake të paralajmëruara më parë si kundërpërgjigje e stërvitjeve Rusi-Bjellorusi, të cilat Kievi dhe Perëndimi i kanë interpretuar si pjesë të përshkallëzimit ushtarak të Rusisë.

A do të ketë edhe një luftë në Ukrainë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:01 0:00

Stërvitjet e mëdha ushtarake në Bjellorusi, po shihen si një shfaqje e forcës e Rusisë, që tregon se si shtrëngimi i kontrollit të Moskës në Minsk, i ka dhënë aftësi të zgjeruara në përballjen e saj me Perëndimin mbi situatën në Ukrainë.

Stërvitjet e përbashkëta Rusi-Bjellorusi, do të zgjasin deri më 20 shkurt dhe shihen si pjesë e dislokimeve ruse pranë Ukrainës që kanë ngjallur frikën e një pushtimi, derisa Rusia mohon një plan të tillë.

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, tha se këtë javë stërvitjet ukrainase do të zgjasin gjithashtu nga 10 deri më 20 shkurt dhe forcat e armatosura do të kryejnë stërvitje me armatimet e ofruara nga partnerët e huaj.

Ukraina nuk ka raportuar numrin e personelit ushtarak dhe armëve të përfshira në stërvitjet e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG