Ndërlidhjet

Bjellorusia pret një dërgesë të madhe armësh nga Rusia


Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka.
Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka.

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, tha se vendi i tij së shpejti do të pranojë një dërgesë të madhe të pajisjeve ushtarake nga Rusia.

Duke folur të mërkurën në qytetin Babrushk të Bjellorusisë, Lukashenka tha se dhjetëra avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, përfshirë “ndoshta” sisteme raketore S-400, do të dërgohen nga Rusia fqinje në Bjellorusi “në të ardhmen e afërt”.

Ai nuk dha detaje të tjera, por i konfirmoi raportet e mëhershme për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Lukashenka tha se, më 9 shtator, do të zhvillojë bisedime me Putinin në Moskë, për integrimin e mëtejshëm midis dy vendeve.

Lukashenka, tash e një vit, përballet me protesta të kohëpaskohshme kundër regjimit të tij.

Opozita ka refuzuar ta pranojë fitoren e Lukashenkës në zgjedhjet e gushtit të vitit të kaluar, për shkak të, siç ka thënë, manipulimit me vota.

Vendet perëndimore gjithashtu kanë refuzuar ta njohin Lukashenkën si president legjitim dhe kanë vendosur një varg sanskionesh kundër regjimit të tij, për shkak të shtypjes brutale të lëvizjes opozitare.

Lukashenka tha të mërkurën se integrimi më i thellë me Rusinë nuk do ta privojë vendin e tij nga sovraniteti.

“Ne po i ndërtojmë lidhjet tona si dy shtete sovrane”, tha ai.

Forcat ruse dhe bjelloruse pritet të zhvillojnë stërvitje të mëdha ushtarake këtë muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG