Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ushtria e tij po përgatitet për luftime të mëtejshme në lindje dhe i quajti “fraza të bukura” premtimet ruse për të zvogëluar aktivitetin ushtarak.
Zelensky paralajmëroi se forcat ruse po grumbullohen në përgatitjen e një sulmi të ri në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë.
Rusia tha se do të kufizonte operacionet pranë kryeqytetit, Kiev, dhe qytetit verior të Çernihivit “për të rritur besimin e ndërsjellë” për bisedimet e paqes, pasi të dyja palët u takuan ballë për ballë në Stamboll më 29 mars.
Bisedimet pritet të rifillojnë sot përmes video-lidhjes, tha negociatori ukrainas, David Arakhamia.
“Ne nuk i besojmë askujt, asnjë fraze të bukur”, tha Zelensky në një fjalim me video më 30 mars, duke shtuar se ai beson se trupat ruse po rigrupohen për të goditur rajonin lindor të Donbasit.
“Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë. Dhe, ne do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, për çdo person”, tha Zelensky, duke përsëritur thirrjen e tij për ndihmë ushtarake perëndimore.
“Nëse me të vërtetë po luftojmë për lirinë dhe mbrojtjen e demokracisë, atëherë kemi të drejtë të kërkojmë ndihmë në këtë pikë kthese të vështirë. Tanke, avionë, sisteme artilerie. Liria nuk duhet të armatoset më keq se tirania”, tha Zelensky.
Zelensky dhe presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë një telefonate një orëshe, diskutuan mbështetjen specifike mbrojtëse, një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe ndihmën financiare dhe humanitare.
Thirrja më 30 mars erdhi pasi forcat ruse vazhduan bombardimet pranë Kievit dhe qytetit verior Çernihiv, një ditë pasi premtuan t'i reduktojnë operacionet.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se “më pak se 20 për qind” e kontingjentit rus në afërsi të kryeqytetit ukrainas ka filluar të “ripozicionohet”.
Kirby tha se duket se Rusia po i tërheq trupat nga Kievi për t’ i rifurnizuar dhe riorganizuar ato për t'i përdorur diku tjetër në Ukrainë dhe jo për t’i dërguar ato në Rusi.
Një zyrtar i Pentagonit tha se ende nuk janë dorëzuar të gjitha armatimet e premtuara nga Bideni në mes të marsit.
Një delegacion ligjvënësish ukrainas vizitoi Uashingtonin më 30 mars për të kërkuar më shumë ndihmë nga SHBA, duke thënë se kombi i tyre ka nevojë për më shumë pajisje ushtarake, më shumë ndihmë financiare dhe sanksione më të ashpra kundër Rusisë.
“Ne duhet të dëbojmë ushtarët rusë nga toka jonë dhe për këtë na duhen të gjitha armët e mundshme”, tha anëtarja e Parlamentit ukrainas, Anastasia Radina, në një konferencë shtypi në Ambasadën e Ukrainës.
Në gati pesë javë që nga fillimi i pushtimit, forcat ruse janë ndalur në shumë fronte nga rezistenca e fortë e forcave ukrainase.
Por, zyrtarët ukrainas raportuan më 30 mars se bombardimet ruse goditën shtëpi, dyqane, biblioteka dhe vende të tjera civile në dhe rreth Çernihivit dhe në periferi të Kievit.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se premtimi i Rusisë për të kufizuar operacionet pranë Kievit dhe qytetit verior të Çernihivir nuk ishte i vërtetë.
“Gjatë gjithë natës ne dëgjuam sirenat, sulmet me raketa dhe dëgjuam shpërthime të mëdha në lindje të Kievit dhe në veri të Kievit”, tha Klitschko.
“Ka beteja të mëdha, njerëzit vdiqën dhe ende po vdesin”, tha ai.
Trupat ruse gjithashtu shtuan sulmet e tyre në rajonit lindor të Donjeckut, tha pala ukrainase.