Ndërlidhjet

Ukraina kërkon armë për t’u mbrojtur nga Rusia


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Ukraina ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve perëndimorë për të furnizuar Kievin me armë të avancuara për të luftuar trupat e Rusisë.

“Forcat tona të armatosura po mbahen me një kurajo përtej njerëzore, por ne nuk mund të fitojmë luftën pa armë mbrojtëse," tha këshilltari presidencial ukrainas, Andriy Yermak.

“Në rastin tonë, është mbrojtje, jo agresion”, tha ai.

Apeli vjen menjëherë pasi Rusia njoftoi se kishte vendosur raketa hipersonike në fushën e betejës, afër kufirit të Ukrainës me anëtarin e NATO-s, Rumaninë, në atë që analistët thanë se ishte përdorimi i parë i armëve të tilla në botë.

Yermak tha se ishte "e pamundur" që Ukraina të mbrohej efektivisht pa një "sistem të besueshëm të mbrojtjes ajrore që rrëzon armikun dhe raketat balistike nga një distancë e madhe".

Biden dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s kanë rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë armët anti-tank që kanë ndihmuar në bllokimin e forcave ruse.

Apeli i Ukrainës për mbështetje më të madhe ushtarake nga aleatët perëndimorë ka qenë një refren kyç në një valë të fjalimeve të fundit të Presidentit, Volodymyr Zelensky, drejtuar ligjvënësve evropianë dhe perëndimorë.

Zelensky do t'i drejtohet ligjvënësve japonezë dhe francezë të mërkurën dhe një samit të posaçëm të NATO-s të enjten. Udhëheqësi i Ukrainës së fundmi pranoi se Kievi nuk kishte gjasa të bëhej anëtar i bllokut.

"Ata nuk duan të na shohin në NATO. Kjo frikë nga përshkallëzimi është e kuptueshme. Por kjo nuk do të na shpëtojë," shtoi Yermak në fjalimin e tij të martën.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Deri më tani, lufta në Ukrainë ka shkaktuar miliona refugjatë.

Nga fillimi i luftës deri në mesnatën e 19 marsit, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) regjistroi 902 civilë të vrarë dhe 1,459 të plagosur.

Zyrtarët ukrainas thonë se mijëra civilë janë vrarë.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës raportoi të shtunën se 112 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftimeve ndërsë shumë se 140 fëmijë janë plagosur.

Një krizë e theksuar humanitare po zhvillohet momentalisht në qytetin- port të Mariupolit ku vlerësohet se mbi 200,000 civilë mbeten të bllokuar pa ujë, rrymë dhe furnizime ushqimore.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG