Ndërlidhjet

Rusët kontrollojnë pjesën më të madhe të Severodonjeckut


Luftimet në Severodonjeck.
Luftimet në Severodonjeck.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse tani kontrollojnë pjesën më të madhe të Severodonjeckut, pasi të gjitha urat që çojnë në këtë qytet lindor janë shkatërruar si pasojë e luftimeve të ashpra në rajonin e Donbasit.

Luftimet në këtë rajon, Kievi i konsideron “një prej betejave më brutale në dhe për Evropën”.

Zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Oleksandr Motuzyanyk, ka thënë më 13 qershor se luftimet intensive kanë vazhduar, mirëpo forcat ruse tashmë janë duke kontrolluar qendrën për shkak të artilerisë së rëndë, që ka përfshirë edhe përdorimin e disa sistemeve raketore.

Motuzyanyk ka thënë se forcat ruse “janë duke u përballur me humbje të mëdha”, mirëpo ato vazhdojnë të avancojnë.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se rrugët e furnizimit për ata që kanë mbetur në qytet tani janë të mbyllura dhe se evakuimet janë të pamundshme, pasi të tria urat që lidhin Severodonjeckun dhe qytetin Lisiçansk, tani janë të shkatërruara.

Nëse Severodonjecku dhe Lisiçansku bien, forcat ruse do të kenë kontrollin e gjithë rajonit të Luhanskut, pasi një pjesë e madhe veçse kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në adresimin e tij më 13 qershor se beteja për rajonin e Donbasit “do të futet në histori si një prej betejave më të ashpra në Evropë dhe për Evropën”.

Zelensky ka thënë forcat e tij përballen me “avancim të madh të rusëve, sa u përket pajisjeve dhe sidomos sistemeve të artilerisë” andaj i ka bërë thirrje edhe një herë Perëndimit që të dërgojë sisteme më të avancuara të armëve për mbrojtësit ukrainas.

“Çmimi i kësaj beteje për ne është shumë i lartë. Është i frikshëm. Ne kërkojmë vëmendjen e partnerëve tanë në baza ditore pasi vetëm një numër i madh i artilerisë moderne për Ukrainën do të garantojë avantazhin tonë dhe do t’i japë fund torturës ruse në Donbasin ukrainas”, ka shtuar ai.

Trupat ukrainase “janë duke bërë gjithçka për t’i dhënë fund ofensivës, për aq kohë sa kanë mjaftueshëm armë të rënda, artileri moderne – të gjitha këto i kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë nga partnerët tanë”, ka thënë ai.

Këshilltari i Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak, po ashtu ka bërë thirrje për mijëra armë të rënda dhe pajisje tjera për të qenë të barabartë me Rusinë në front të luftës.

“Për të qenë i drejtpërdrejtë – për t’i dhënë fund luftës, neve na duhet barazi në aspektin e armëve të rënda”, ka thënë ai në Twitter.

Skenarë të zymtë për Ukrainën
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:11:10 0:00

Ai ka përmendur 1,000 obusë, 300 sisteme raketore, 500 tanke, 2,000 makina të armatosura dhe 1,000 dronë.

“Grupi i Kontaktit të ministrave të Mbrojtjes ka takim në Bruksel më 15 qershor. Ne po presim vendimin”, ka thënë ai.

Më 13 qershor, udhëheqësi i rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tri urat e Severodonjeckut janë shkatërruar dhe se situata për njerëzit e mbetur aty është “jashtëzakonisht e vështirë”.

“Të gjitha urat janë shkatërruar, prandaj është e pamundshme që të dërgojmë diçka në qytet, fatkeqësisht”, ka thënë Hayday, duke shtuar se evakuimet nuk janë të mundshme.

Forcat ruse kanë shkatërruar gjithë infrastrukturën për gaz, ujë dhe rrymë, ka thënë ai, duke shtuar se ekzistojnë “probleme të mëdha” me kujdesin shëndetësor.

Sipas Hayday, ushtria ruse aktualisht kontrollon 70 për qind deri në 80 për qind të Severodonjeckut, një qytet me mbi 100,000 banorë, para luftës.

Eduard Basurin, figurë e lartë në udhëheqësinë separatiste të mbështetur nga Rusia, në rajonin e Donbasit, ka thënë më 13 qershor se Severodonjcekut, “de facto” është bllokuar.

“Ndasitë ukrainase që janë në Severodonjeck, kanë qenë ashtu gjithmonë, ka thënë Barusin për mediat në Donjeck.

Megjithatë, Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë më 14 qershor se ofensiva ruse në lindje të Ukrainës, është duke pasur çmimin e vet.

Në përditësimin e fundit, është cituar një zyrtar i lartë i ushtrisë ruse të ketë thënë se shpenzimet për mbrojtje mund të rriten në 10.5 deri në 12.3 miliardë dollarë, çka përbën rritje për 20 për qind në buxhetin vjetor të Rusisë për sektorin e mbrojtjes.

Inteligjenca britanike ka thënë se forcat ruse mund të kenë bërë edhe përparim në rajonin ukrainas të Harkivit, për herë të parë pas disa javëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG