Ndërlidhjet

Rritet “tmerrësisht shumë” numri i ekzekutimeve në Iran, thotë Amnesty


 Amnesty International tha në një raport se Irani i kreu 853 ekzekutime vitin e kaluar. Burgu Qarchak në Teheran, Iran - Fotografi nga arkivi.
Amnesty International tha në një raport se Irani i kreu 853 ekzekutime vitin e kaluar. Burgu Qarchak në Teheran, Iran - Fotografi nga arkivi.

Numri i ekzekutimit të dënuarve në Iran ka shënuar një rritje jashtëzakonisht të madhe në vitin 2023, sipas Amnesty International, e cila tha se gjysma e të ekzekutuarve ishin të dënuar për akuza në lidhje me drogën.

Sipas grupit për të drejtat e njeriut, kjo e vë në pah “ndikimin joproporcional të politikave vdekjeprurëse të autoriteteve kundër lëndëve narkotike në komunitetet e varfra dhe të margjinalizuara”.

Amnesty tha në një raport të publikuar më 4 prill se Irani i kreu 853 ekzekutime vitin e kaluar. Së paku 481 prej të ekzekutuarve ishin të dënuar për lëndë narkotike.

“Dënimi me vdekje është i neveritshëm në të gjitha rrethanat, por përdorimi i tij në një shkallë të lartë për dënimet në lidhje me përdorimin e drogës pas gjykimeve tejet të padrejta para Gjykatave Revolucionare, është abuzim grotesk i detyrës”, tha Diana Eltahawy, zëvendësdrejtoresha rajonale e Amnesty për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Amnesty e ka akuzuar Qeverinë iraniane edhe për “armatimin e dënimit me vdekje”, për t’i sulmuar “protestuesit, disidentët dhe pjesëtarët e pakicave të shtypura etnike”.

Ajo bëri thirrje për “përgjigje të fuqishme globale” për t’i bërë trysni Teheranit për ta pezulluar përkohësisht dënimin me vdekje.

Pas një vale protestash kombëtare që e goditën vendin në pjesën e dytë të vitit 2022, Amnesty shkroi: “Autoritetet iraniane e rritën përdorimin e dënimit me vdekje si armë për t’i shtypur disidentët”.

Numri i të ekzekutuarve në Iran në vitin 2023 ishte më i larti prej vitit 2015 dhe 172 për qind më i lartë se në vitin 2021, kur Ebrahim Raisi u bë president dhe Gholamhossein Ejei u emërua kryetar i gjyqësorit, tha Amnesty në raport.

Qeveria iraniane nuk i publikon të dhënat zyrtare për numrin e ekzekutimeve, por Amnesty punoi me grupet iraniane për të drejtat e njeriut për t’i dokumentuar rastet duke përdorur burime të hapura si, mediat shtetërore dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

Së paku 95 ekzekutime u raportuan më 2024 në Iran deri më 20 mars, tha grupi për të drejtat e njeriut, duke shtuar se beson se numri i vërtetë është më i lartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG