Ndërlidhjet

Rreth 20 mijë persona të vaksinuar kundër koronavirusit në Kosovë


Ilustrim.
Ilustrim.

Koordinatori për vaksinim në sallën '1 Tetori' në Prishtinë Niman Bardhi, ka njoftuar të mërkurën se në nivel vendi janë vaksinuar rreth 20 mijë persona në Kosovë.

Në këtë numër përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Sipas koordinatorit të kësaj qendre, aktualisht është duke u bërë vaksinimi i personave mbi moshën 75 vjeç, të shoqëruar me sëmundje kronike.

“Nga data 8 prill deri më sot janë vaksinuar mbi 2,930 persona. Nga ky numër mbi 1,311 kanë qenë të sëmurë kronikë, 191 profesionistë shëndetësorë, 1,261 të moshuar, por jo të shoqëruar me sëmundje kronike dhe 54 persona në dializë”, tha Bardhi.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet se me cilat kategori të personave do të vazhdojë vaksinimi.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë arrin në 102,236, i viktimave në 2,100 dhe i të shëruarve në 88,380.

Aktualisht në Kosovë, raste aktive me koronavirus janë 11,756.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG