Infektologë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit, shprehin shqetësimet e tyre rreth menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave nga procesi i vaksinimit kundër COVID-19, siç janë shiringat, ampulat e qelqit, por edhe pajisjet tjera mbrojtëse personale.
Procesi i vaksinimit kundër COVID-19, në Kosovë ka filluar më 29 mars, me vaksinat e kompanisë britanike, AstraZeneca. Deri më tani janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, kurse nga dita e premte ka nisur vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeçare.
Ramadani: Mbetjet mjekësore mund ta përhapin virusin
Infektologu Hamdi Ramadani thotë për Radion Evropa e Lirë se administrimi i mbetjeve nga vaksinimi duhet të trajtohet në mënyrë profesionale, në të kundërtën, sipas tij, ekziston mundësia e përhapjes së koronavirusit.
“Menjëherë ai material duhet të eliminohet sepse shiringat mund të jenë të kontaminuara, të rrezikshme për qytetarët dhe ambientin. Përkundër faktit që COVID-19 bartet në mënyrë ajrore, por edhe në shiringa virusi mund të qëndrojë për një kohë të caktuar dhe kontakti me to krijon mundësinë e përhapjes së virusit”, thekson Ramadani.
Ndërkaq, Luan Hasanaj nga organizata "Ta pastrojmë Kosovën", e cila merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, thotë se trajtimi i sigurt i mbetjeve infektive, është problem shqetësues. Ai për Radion Evropa e Lirë shprehet se disa nga mbetjet mjekësore mund të shkatërrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), por në komunat e tjera, të gjitha këto mbetje përfundojnë në deponi rajonale të mbeturinave.
“Pra, hidhen pa asnjë kontroll, nuk ka ndonjë sistem i cili i trajton këto mbetje gjithandej vendit. Tanimë, kur ka filluar vaksinimi dhe kur rritet numri i të vaksinuarave, do jenë qindra-mijëra mbetje dhe duke parë që mungon një sistem i trajtimit të tyre, kjo do të bëhet një problem i madh. Kjo rrezikon shumë qytetarët”, tha Hasanaj.
Përveç mbetjeve mjekësore në hapësirat e qendrave shëndetësore, Hasanaj thekson se në Kosovë është një ndotje enorme e mjedisit nga përdorimi i maskave, dorezave, shisheve të dezinfektueseve dhe pajisjeve tjera mbrojtëse personale, që hidhen nga qytetarët e pandërgjegjshëm.
Bektashi: Materialet mjekësore, të asgjësohen
Edhe Agron Bektashi, ish-drejtor në Qendrën Rajonale të Mjedisit (REC), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se mbetjet e produkteve mjekësore dhe materialeve të përdorura gjatë procesit të vaksinimit duhet të trajtohen dhe asgjësohen me kujdes të shtuar, në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve.
“Duhet të kenë metoda të caktuara se si duhet të asgjësohen se si të ruhet shëndeti i qytetarëve. Praktikat më të mira deri më tani, të cilat kanë qenë për shkatërrimin e mbeturinave apo mbetjeve medicinale, janë impiantet e vogla të cilat ndërtohen në kuadër të spitaleve ose jashtë tyre, ku bëhet asgjësimi i tyre në temperatura të larta dhe me një ndikim të vogël në ajër”, tha Bektashi.
Institucionet, të papërgatitura për trajtimin e mbeturinave
Institucionet shëndetësore nuk janë të përgatitur në mënyrë adekuate për administrimin e këtyre mbetjeve, thotë Hasanaj nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”.
“Nuk janë të përgatitur. Nuk ka ndonjë impiant që duhet të asgjësohen këto mjete. Krahas vaksinimit, në çdo lokacion që realizohet ky proces do të duhej patjetër të pajisen me impiant që merret me asgjësimin e mbetjeve. Dhe informatat janë që kjo nuk qëndron për momentin. Asnjë spital rajonal nuk posedon një impiant të tillë. Jo vetëm shiringat, ampulat, por secila mbetje medicinale është e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve dhe nuk trajtohet fare”, thekson ai.
Krasniqi: QKUK-ja bën trajtimin në mënyrë profesionale
Por, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pohojnë se të gjitha mbetjet medicinale, trajtohen në impiantin për trajtimin e mbetjeve medicinale, impiant ky që ekziston në kuadër të QKUK-së.
Mehdi Krasniqi, shef i sektorit të shërbimeve teknike në QKUK, tregon se kjo çështje është jashtëzakonisht mirë e organizuar. Këto mbetje, ai thotë se trajtohen përmes aparaturës përkatëse, pastaj përmes avullit deri në 180 gradë celsius bëhet sterilizimi i tyre.
“Çka ka material mjekësor trajtohet, me përjashtim të barnave. Ne kemi një impiant dhe në kuadër të tij, janë dy sterelizatorë që bëjnë trajtimin e mbetjeve. Përveç kësaj, kemi edhe një depo, ku ekziston frigoriferi special, ku deponohen këto lloje të materialeve, brenda ditës apo javës dhe kohë pas kohe edhe ato futen në trajtim. Pra, kushtet për trajtimin e këtyre mbetjeve plotësojnë çdo standard. Në QKUK, nga 900 deri 1200 kilogramë mbetje medicinale trajtohen brenda ditës”, thekson Krasniqi.
Mbetjet infektive riciklohen
Menaxhimi i mbeturinave nga vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19, është i rregulluar në bazë të Planit shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19. Nga përqindja e përgjithshme e mbeturinave, nga 10-15 për qind, thuhet se janë mbetje infektive, që kërkojnë vëmendje të veçantë për riciklimin ose asgjësimin përfundimtar të tyre.
Bilanci i mbetjeve jo-infektive mund të hidhet në depozitë komunale nëse menaxhohet siç duhet. Kurse për trajtimin e sigurt të mbetjeve infektive dhe asgjësimi e tyre, në Plan thuhet se Kosova ka planifikuar dhe buxhetuar për hedhje të mbeturinave, për ndërtim të kapaciteteve kombëtare, për ndarjen, trajtimin, transportimin dhe asgjësimin ose riciklimin e duhur të mbeturinave.
Në plan thuhet se Kosova do t'i eksplorojë mundësitë për hedhjen e mbeturinave infektive në repartet industriale për prodhimin e çimentos apo për t'i shndërruar mbeturinat në energji etj.
Facebook Forum