Në qendrat e Mjekësisë Familjare, sipas një pilot-projekti që po zbatohet aktualisht, pacientët mund të bëjnë vizita mjekësore vetëm pasi t’i kenë caktuar ato paraprakisht.
Por, aplikimi i rregullave të reja, përkatësisht caktimit paraprak të vizitave (termineve) në këto qendra, si shërbime primare shëndetësore, ka nxitur reagime të pacientëve, të cilët nuk e shohin të arsyeshëm këtë vendim. Sipas tyre, ndihma e parë mjekësore do duhej të ofrohej nga mjekët familjarë në çdo kohë që ata kanë nevojë.
Blerta Maxhuni, qytetare nga Prishtina, thotë se kishte probleme shëndetësore, por nuk arriti të kryejë vizitë mjekësore ngase nuk kishte caktuar termin.
“Isha te Qendra e Mjekësisë Familjare në Bregun e Diellit. Kisha komplikime shëndetësore. Më thanë se duhet bërë termin, gjë që me dukej banale, për arsye se është qendër e kujdesit primar, që pacientët duhet të marrin ndihmë”, thotë Maxhuni.
Sipas kësaj qytetareje, aplikimi i termineve, mund të jetë një arsye më tepër që pacientët të kërkojnë ndihmën mjekësore në ordinancat private.
“Uroj që të mos ketë keqpërdorime dhe të mos ketë pazare mes mjekëve me ordinanca private, pra që t’i referojnë pacientët, në mënyrë që ata të mos presin. Kur unë isha për vizitë mjekësore, ishte vetëm një zonjë me fëmijën e saj duke pritur dhe nuk po shoh arsye që të caktoj termin, meqë nuk kishte njerëz (duke pritur)”, tha Maxhuni.
Por, zyrtarët shëndetësorë në qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë thonë nga termini përjashtohen rastet urgjente dhe ata me sëmundje kronike.
Florie Hyseni, specialiste e mjekësisë familjare, për Radion Evropa e Lirë tha se arsyeja pse kanë filluar të funksionojnë me termine, është ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Ajo thotë se do të kursehet koha e pacientëve për pritje, dhe gjithashtu lehtësohet puna e stafit mjekësorë në ofrimin e shërbimeve, si dhe të ofrohet cilësi më e mirë e shërbimeve shëndetësore për pacientët.
“Në këtë qendër, frekuenca e pacientëve është përafërsisht nga 170 deri 180 pacientë brenda ditës, derisa në ndërrimin e natës, pranon nga 50 deri në 70 pacientë. Terminet ndoshta do t’i habisin pacientët në fillim, por kjo është marrë pikërisht për cilësi më të mirë për pacientët. Kjo vlen edhe për analiza laboratorike, caktohet termini dhe nuk ka arsye për pritje”, tha Hyseni.
Zonja Hyseni tutje shton se përhapja e viruseve gjatë pritjeve të shumta të pacientëve në korridore, është potencialisht më e madhe, andaj caktimi i vizitave, sipas saj, pos tjerash shmang edhe grumbullin e njerëzve dhe rrjedhimisht edhe përhapjen e viruseve.
“Pacientët më nuk presin nga 10 vetë bashkë, çka përbën potencialisht shpërndarje të viruseve. Ky është një pilot-projekt, dhe na është lënë mundësia që secila qendër të vendos vetë, varësisht nga frekuenca e pacientëve që kanë”, tha Hyseni.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Rrezart Halili, tha se caktimi i termineve për pacientët ka filluar që të zbatohet nga 1 janari. Qëllimi i caktimit të vizitave, ka nënvizuar ai, korrespondon me trendet bashkëkohore si gjithkund në botë.
“Pacienti saktësisht mund ta dijë se kur e ka terminin dhe nuk ka nevojë të pres. Përjashtohen rastet urgjente dhe ato kronike të cilat vizitohen pa termin. Edhe pse ka filluar të zbatohet ky projekt, ne nuk jemi duke i kthyer pacientët, por po i këshillojmë që në të ardhmen të bëjnë termine”, thekson Halili.
Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë janë mbi dy milionë shërbime mjekësore që kryhen brenda një viti në Qendrat e Mjekësisë Familjare, vetëm në Komunën e Prishtinës.
Ndryshe, mbi pesë mijë shërbime marrin pacientët brenda 24 orëve në gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në gjithë Komunën e Prishtinës.
Frekuenca e madhe e pacientëve ka bërë që udhëheqës të këtyre institucioneve shëndetësore, siç thanë ata, të fillojnë të zbatojnë pilot-projektin në gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës , që pacientëve t’u caktohet termin.