Sfidat e shumta me të cilat është përballur sistemi shëndetësor gjatë viteve, ka bërë që qytetarët e Kosovës ta humbin besimin.
Mungesa e barnave, shërbimet jo cilësore, vlerësimet për, siç thuhet, skandalet e ndryshme në sistemin shëndetësor, e deri tek aktakuzat e ngritura për më shumë se 60 punonjës shëndetësotë, kanë bërë që qytetarë të anketuar të thonë se janë të zhgënjyer me sistemin e shëndetësisë në Kosovë.
Pak qytetarë mendojnë se vullneti i mjekëve nuk mungon, por kushtet në përgjithësi, nuk janë të lakmueshme.
Ragip Berisha 59 vjeçar, jep mendimin e tij lidhur me këtë cështje
"Aq i besoj, sa që jam operuar në Shkup", tha ai.
Ramadan Pireva, është pensionist. Ai thotë të jetë i zhgënjyer me sistemin e shëndetësisë, veçmas me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sidomos për pensionistët.
‘’Unë kam punuar në institucion publik tërë jetën. Pas pensionimit, kam shkuar të sigurohem në kompani private të sigurimeve dhe nuk më kanë pranuar. Andaj mendoj se realiteti në Kosovë, është ky, unë dhe gjithë pensionistët e Kosovës jemi të orientuar nga shteti. Sidomos kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor".
Ilmi Krasniqi, në anën tjetër thotë se ndonëse ka mjekë të mirë profesionalisht, interesin financiar e kanë para së gjithash.
"Me besu, i besoj. Mendoj se doktorët tanë janë të aftë. Por, sa e praktikojnë jam shumë i dyshimt. Kjo për arsye se dëshrojnë që të gjithë pacientët t'i dërgojnë në institucione private shëndetësore", tha Krasniqi.
Besa Krasniqi, ekonomiste me profesion, thotë se mungesa e barnave, papastëria dhe mungesa e vullnetit të mjekëve janë ato që e karakterizojnë sistemin shëndetësorë.
‘’Mendoj se ska asgjë, ska pastërti, ska ilaqe, ska vullnet se po punojnë privat".
Edhe Luljeta Maloku, juriste me profesion është mjaft skeptike.
"Mendoj se ka mangësi të mëdha. Si mungesa e barnave, më pas koordinimi mes klinikave mungon. Një të sëmurë nga një klinikë në tjetrën duhet ta dërgosh, varësisht prej referencës së mjekut, dhe mendoj se është e mundimshme".
Derisa, Mentor Hajdari, student Fakultetit të Matematikës, thotë se në institutcionet publike shëndetësore ka ende shumë punë, deri tek ofrimi i shërbimeve shëndetësore kualitative.
"Mendoj se në institucione private shëndetësore është tretmani më i mirë. Për sektorin publik, mendoj se ende ka shumë punë për t'u bërë’’, tha Hajdari.