Shefi i gardës presidenciale në Niger, gjenerali Omar Tchiani, e ka emëruar veten president të Këshillit Kombëtar dhe kështu lider të ri të vendit afrikan.
Tchiani i bëri këto deklarata në televizionin kombëtar të premten, më 28 korrik.
Oficerët e rojës presidenciale e arrestuan presidentin e Nigerit, Mohamed Bazoum – i cili ishte zgjedhur në mënyrën demokratike më 2021 – në pallatin e tij presidencial të mërkurën.
Në mbrëmjen e njëjtë, 10 oficerë ushtarakë njoftuan në televizionin kombëtar se Këshilli Kombëtar për Sigurinë e Atdheut (KKSA) e ka marrë pushtetin në dorë.
Ministria e Mbrojtjes e Nigerit, vendit të Afrikës Perëndime me një popullsi prej 26 milionë banorë, i ndaloi protestat dhe demonstratat të enjten.
“Forcat tona të mbrojtjes dhe sigurisë... kanë vendosur t’i japin fund regjimit të cilin e njihni edhe ju”, tha koloneli Amadou Abdramane gjatë një fjalimi në televizion kombëtar.
Ushtria e Nigerit i ka paralajmëruar shtetet e huaja të mos tentojnë ndërhyrjen ushtarake, duke thënë se ajo mund të ketë pasoja shkatërruese për vendin.
Pui është duke u mbështetur edhe nga partitë opozitare, sipas një deklarate të publikuar në mediat e Nigerit. Mbetet e paqartë se për sa parti opozitare bëhet fjalë.
Të enjten, përpjekjet e ushtrisë për ta marrë në dorë pushtetin e vendit u kritikuan ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Unioni Afrikan dhe qeveritë individuale, përfshirë ajo e Rusisë dhe ajo e Gjermanisë.
Berlini i ka rreth 100 ushtarë të vendosur në Niger.
Koloneli i Ushtrisë së Nigerit, Amadou Abdramane, tha të mërkurën vonë në televizionin kombëtar se ushtria i ka pezulluar të gjitha institucionet dhe i ka mbyllur të gjithë kufijtë në vendin e Afrikës Perëndimore.
Të enjten u mbyll edhe hapësira ajrore e Nigerit.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka bërë thirrje për lirimin e “menjëhershëm” të Bazoumit, si dhe për “për respektimin e menjëhershëm të sundimit të ligjit dhe për siguri publike”.
Trazirat në Niger vijnë në një periudhë kur fuqitë perëndimore janë të shqetësuara për operacionet e grupit mercenar Wagner në këtë rajon të paqëndrueshëm.
Në Malin fqinj, mercenarët rusë të armatosur rëndë po ndihmojnë regjimin ushtarak për t’i luftuar kryengritësit xhihadistë.
Nigeri po përballet me dy kryengritje islamike - njëra në jugperëndim, e cila erdhi nga Mali fqinj në vitin 2015, dhe tjetra në juglindje, ku janë të përfshirë xhihadistët të bazuar në Nigerinë verilindore.
Grupet militante aleate të Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik janë aktive në vend.
Presidenti Bazoum, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2021, është një aleat i ngushtë i Francës dhe vendeve të tjera perëndimore.
Nigeri ka përjetuar katër grusht shtete dhe tentative të shumta të tjera që nga pavarësimi nga Franca në vitin 1960.