Ndërlidhjet

Mbyllet hapësira ajrore në Niger pas puçit, e prek edhe ushtrinë gjermane


Aeroplanët luftarakë gjermanë
Aeroplanët luftarakë gjermanë

Mbyllja e hapësirës ajrore pas një tentim puçi në Niger e ka prekur edhe ushtrinë gjermane Bundeswehr të enjten.

Koloneli i Ushtrisë së Nigerit, Amadou Abdramane, tha të mërkurën vonë në televizionin kombëtar se ushtria i ka pezulluar të gjitha institucionet dhe i ka mbyllur të gjithë kufijtë në vendin e Afrikës Perëndimore.

Ushtria tha se ia ka vënë kyçin pallatit presidencial dhe e ka arrestuar presidentin e vendit Mohamed Bazoum, i cili ishte zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 2021.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, të gjitha fluturimet drejt bazës ajrore Bundeswehr janë ndaluar në kryeqytetin e Nigerit, Niamey, ku punojnë rreth 100 ushtarë gjermanë. Raportohet se edhe i gjithë stafi i Ambasadës së Gjermanisë është dërguar nga kryeqyteti në bazën ajrore, për arsyeje sigurie.

Një aeroplan transportues A 400 i Gjermanisë është ende i parkuar në aeroportin ushtarak, por hapësira ajrore do të jetë e mbyllur deri më 4 gusht.

“Të gjithë anëtarët e kontingjentit gjerman MINUSMA... në Niamey, janë të sigurt”, ka thënë një zëdhënës i Bundeswehrit të enjten.

Ai shtoi se situata është e paqartë, por se po vëzhgohet me kujdes.

Ushtria gjermane e mban bazën ajrore në Niamey për angazhime ushtarake në Afrikën Perëndimore.

Ky lokacion është i rëndësishëm për tërheqjen e vazhdueshme të ushtrisë gjermane nga shteti fqinj Mali, ku Gjermania është e përfshirë në misionin e OKB-së, të njohur si MINUSMA.

Të enjten, ministri i Punëve të Jashtme i Nigerit, Hassoumi Massoudou, i bëri thirrje ushtrisë së vendit ta lirojë presidentin dhe t’i shtrojë kërkesat përmes dialogut.

“Ne jemi autoritetet ligjore dhe të ligjshme në Niger”, tha Massoudou për France 24 të enjten. Ai theksoi se kishte folur me Bazoumin dhe se tha se presidenti ishte mirë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka bërë thirrje për lirimin e “menjëhershëm” të Bazoumit, si dhe për “për respektimin e menjëhershëm të sundimit të ligjit dhe për siguri publike”.

Trazirat në Niger vijnë në një periudhë kur fuqitë perëndimore janë të shqetësuara për operacionet e grupit mercenar Wagner në këtë rajon të paqëndrueshëm.

Në Malin fqinj, mercenarët rusë të armatosur rëndë po ndihmojnë regjimin ushtarak për t’i luftuar kryengritësit xhihadistë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i etur për ta zgjeruar ndikimin rus në Afrikë, do t’i presë të enjten udhëheqësit afrikanë në Shën Petersburg.

Blloku ekonomik i Afrikës Perëndimore, Ecowas, ka thënë se “dënon në termat më të ashpër përpjekjen për të marrë pushtetin me forcë” në Niger.

Në emër të Ecowas, presidenti i Beninit, Patrice Talon, ka mbërritur në kryeqytetin Niamey me një mision ndërmjetësimi.

Talon tha se “të gjitha mjetet” e nevojshme do të përdoren për ta rivendosur rendin kushtetues në Niger, “por idealja do të ishte që gjithçka të bëhej në paqe dhe harmoni”.

Më herët të mërkurën, turmat në Niamey dolën në rrugë në mbështetje të Bazoumit. Një reporter i BBC-së pa gjithashtu forca të armatosura të rënda, besnike ndaj presidentit, të stacionuara përreth transmetuesit kombëtar.

Qyteti ishte kryesisht paqësor, megjithëse ushtarët që qëndronin pas tentativës për grusht shteti gjuajtën me armë për t’i shpërndarë protestuesit.

Nigeri po përballet me dy kryengritje islamike - njëra në jugperëndim, e cila erdhi nga Mali fqinj në vitin 2015, dhe tjetra në juglindje, ku janë të përfshirë xhihadistët të bazuar në Nigerinë verilindore.

Grupet militante aleate të Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik janë aktive në vend.

Presidenti Bazoum, i cili u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2021, është një aleat i ngushtë i Francës dhe vendeve të tjera perëndimore.

Nigeri ka përjetuar katër grusht shtete dhe tentative të shumta të tjera që nga pavarësimi nga Franca në vitin 1960.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG