Ndërlidhjet

Vetëvendosje konfirmon fitoren në Prishtinë dhe Prizren


Fletë votimi
Fletë votimi

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe votat përmes postës nga zgjedhjet për kryetar të komunës së Prishtinës dhe për kryetar të komunës së Prizrenit.

Gjithashtu, ka përfunduar edhe rinumërimi i votave i 35 vendvotimeve nga zgjedhjet për kryetar të komunës së Dragashi, si dhe tri vendvotimeve nga zgjedhjet për kryetarë të Rahovecit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka theksuar se shpallja e rezultateve pritet të bëhet gjatë ditës së hënë.

“Pas këtij procesi të sotëm, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, do të bëhet futja e të dhënave nga ky numërim dhe rinumërim. Do të procedojmë tutje, pra, me shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, që është mbajtur më 19 nëntor. Po besoj, që KQZ-ja këto rezultate do t’i shpallë gjatë ditës së nesërme, për çka do ta kemi një njoftim gjatë ditës së nesërme, në paraditen e së hënës”, ka thënë Elezi.

Megjithatë, sipas Elezit, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, përfshirë edhe të balotazhit që u mbajtën më 19 nëntor, do të bëhet sipas afateve të parapara e ligj.

“Dihet që, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, është afati 24 orësh i subjekteve politike për të paraqitur ankesat e tyre, sërish në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Pra, kjo është një procedurë e paraparë ligjore. Ka ndodhur zakonisht kështu edhe në proceset e mëhershme”, ka shtuar Elezi.

Megjithatë, rinumërimi dhe numërimi i votave me kusht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka qenë publik dhe i qasshëm për medie dhe bazuar në rezultatet e publikuara nga numërimit i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe votat përmes postës nga zgjedhjet për kryetar të komunës së Prishtinës, numrin më të madh të votave të përgjithshme e ka marrë Shpend Ahmeti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ahmeti ka marrë 861 prej votave me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta, ndërsa kundërkandidati i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ArbanAbrashi, ka marrë 733.

Në garën e balotazhit për komunën e Prishtinës, më 19 nëntor, Shpend Ahmeti nga LVV-ja kishte marrë 41 mijë e 401 vota, ndërkaq, Arban Abrashi nga LDK-ja, ka marrë 41 mijë e 164 vota.

Në Prizren, shumicën e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe votat përmes postës, 368 vota, i ka marrë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, përballë kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, me 329 vota. Por, ku i fundit, ka udhëhequr nëbalotazhin e 19 nëntorit.

Pas rinumërimit të tëgjitha votave në 34 vendvotime të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani nga PDK-ja ka marrë shumicën e votave përballë kandidatit të LDK-së, Selim Kryeziu.

Gjithashtu, pas përfundimit të rinumërimit të votave për komunën e Rahovecit, për 3 vendvotimet, për të cilat ishin raportuar parregullsi, në garën për kryetar të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë shumicën e votave përballë kundërkandidatit Idriz Vehapi nga PDK-ja.

Të gjitha këto rezultate mbeten ende jozyrtare deri në shpalljen e tyre zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Megjithatë, Dardan Sejdiu nga LVV- ja, në një konferencë për medie ka theksuar se Vetëvendosje ka konfirmuar fitoren në Prishtinë dhe Prizren.

“Ne konfirmojmë dhe vulosim fitoren në Prishtinë, ku kryetari Shpend Ahmeti vazhdon punën, me të cilin model u prezantuam në Prizren dhe kryetari Mytaher Haskuka fitoi besimin e qytetarëve të Prizrenit. Pra sot, konfirmojmë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje edhe në Prishtinë, por edhe në Prizren”, ka thënë Sejdiu.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës të shtunën ka hedhur poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim të votave në Prizren dhe në Prishtinë. Vendimi i PZAP-së kishte pasuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për rinumërim të votave në Prizren dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës për rinumërim të votave në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së.

Në dy aktvendime, veç e veç, për Prishtinë dhe për Prizrenin, Gjykata Supreme i ka pranuar si të bazuara ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme, të dielën ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, Blerand Stavileci , zëdhënës i PDK-së, në një konferencë për medie ka hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për kërcënime dhe presione ndaj organeve të drejtësisë në vend..

“Gjykata Supreme nxori si të pabazuara kërkesat tona për rinumërim votash, edhe pse ofruam argumentet tona në bazë të së cilave shihet qartë manipulimi me vota i bërë nga klani i hajnave terroristë të Partisë Vetëvendosje. Gjykata Supreme mbase edhe e ndikuar nga presioni publik që kjo parti klanesh terroriste ka bërë mbi anëtarët e saj, anuloi rinumërimin e votave”, u shpreh Stavileci.

PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i shtjerrë “të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve”.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG