Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thanë zyrtarë të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve.
Këto vendvotime u dërguan në rinumërim pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas ankesave të partive politike për rezultatin përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pas përfundimit të rinumërimit tha se brenda 24 orësh mund të parashtrohen ankesa nga subjektet politike në administrim të numërimit që është zhvilluar në QNR.
“Para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve, merr konfirmimin nga ana e PZAP-it dhe Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje e cila është në shqyrtim. Pra, në momentin kur të kemi këto konfirmime, si institucion mund të procedojmë për certifikimin e rezultatit përfundimtar”, tha Elezi.
Ai tha se rezultatet zgjedhore do të publikohen në ueb-faqen e KQZ-së.
Pas rinumërimit të 1407 vendvotimeve, koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, përmes një postimi në Facebook, thanë se do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, në KQZ kanë arritur 392 pako me fletëvotime nga diaspora më 12 nëntor.
Lidhur me këtë çështje, në PZAP Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një ankesë më 22 nëntor duke kërkuar verifikimin dhe numërimin e tyre.
Por, PZAP, në vendimin e publikuar të dielën, njoftoi se e ka hedhur poshtë si të palejueshme ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje i ishte adresuar Gjykatës Supreme për votat e ardhura nga diaspora pas afatit të paraparë ligjor, pasi PZAP kishte hedhur poshtë ankesat për t'i numëruar të njëjtat. Supremja, në fund të muajit tetor, kishte udhëruar KQZ-në që të numërojë dhe të fusë në rezultatin zgjedhor rreth 5 mijë vota të ardhura me vonesë nga jashtë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor. Sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet kaluan të qeta dhe ishin në harmoni me standardet demokratike.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti po mëtojnë që ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës. Përfaqësuesit e këtyre dy partive kanë thënë se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.