Ndërlidhjet

Finalja e negociatave për Qeverinë e re pas certifikimit të rezultatit


Kanë kaluar një muaj e gjysmë nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese, me më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetarët e këtyre dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u takuan të premten për të diskutuar në lidhje me ndarjen e pushtetit, që nënkupton ndarjen e posteve, nga pozita e kryeministrit, e cila tashmë është përcaktuar si pajtim i të dy partive për Albin Kurtin, e deri te ndarja e posteve ministrore e nën-ministrore.

Megjithatë, asnjë marrëveshje nuk u kumtua se u arrit dhe gjithçka u la që të vendoset pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Pas takimit me Mustafën, kryetari i LVV-së, Kurti, tha se takimet do të vazhdojnë një orë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatin zgjedhor.

“Në këtë takim ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morën vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit të takohemi në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen brenda tre-katër ditëve”, tha Kurti.

Bazuar në punën e grupeve punuese nga të dy partitë politike që po synojnë formimin e Qeverisë, Kurti tha se programi i përbashkët ka 26 faqe dhe paralajmëroi vazhdimin e takimeve në nivelin e këtyre grupeve.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha pas takimit me Kurtin se janë pajtuar që menjëherë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të vazhdojnë negociatat për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

“Kishim një takim me liderin e Vetëvendosjes para certifikimit të rezultateve dhe e vlerësuam procesin e harmonizimit në mes dy partive politike. Për çështjen e ndarjes së posteve dhe të ministrive do të ulemi dhe tëflasim pas certifikimit të rezultateve. Janë harmanizuar shumë çështje të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, politikave sociale, shtetit ligjorë si dhe të formimit planprogramit të qeverisë së ardhshme”, tha Mustafa.

Ai e mohoi nisjen e bisedimeve edhe në lidhje me postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas disa zyrtarëve të LDK-së duhet të përcaktohet qysh tash, në mënyrë që në pranverën e vitit 2021, kur i skadon mandati presidentit aktual, të mos krijohet krizë institucionale me këtë pozitë.

Duke analizuar procesin e deritashëm të negociatave për qeverinë e re, analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi i mungesës së një marrëveshjeje në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së ka të bëjë me postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

“Duket se problemi më i madh në arritjen e marrëveshjes ose në mos arritjen e deri tashme të marrëveshjes ndërmjet këtyre dy partive është posti i presidentit, LDK kërkon që këtë post ta marrë për vete dhe për më tepër të merret vesh tash me Vetëvendosjen se si do të rrjedhin gjërat pasi të përfundojë zoti Thaçi mandatin. Ndërkaq, Vetëvendosja duket se nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë, duke kërkuar një president konsensual”, thotë Mushkolaj.

Video nga arkivi: Sherret virtuale mes LVV-së dhe LDK-së

Ai gjithashtu tha se certifikimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm, por nuk do të duhej që të zmbrapste të dyja partitë në arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e qeverisë së re.

“Certifikimi i zgjedhjeve nuk do të duhej që LDK-në dhe Vetëvendosjen t’i zbrapste ose t’i ndalonte nga arritja e marrëveshjes për shkak se tashmë siç kam thënë përfaqësues të të dyja partive shumica e programit qeverisës është dakorduar, por natyrisht se certifikimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm sidomos për Lidhjen Demokratike të Kosovës për të parë saktësisht se çfarë fuqie politike ka karshi Vetëvendosjes në mënyrë që pastaj ta rrisë “pazarin” kushtimisht thënë, në marrëveshjen për koalicionin,” tha Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, qytetarët e Kosovës nuk e kanë luksin që për shkak të ambicieve politike të të dyja partive, siç thotë ai, të bllokohet formimi i institucioneve të reja.

Në ndërkohë, procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po shkon drejt fundit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja është e gatshme të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve.

“Pasi që të përfundon rinumërimi, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, më nuk ka afat të ankesave. Pra, është afati i fundit në ditën e fundit të rinumërimit, dhe pas kësaj, nëse nuk kemi ndonjë ankesë tjetër jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”, tha Daka.

Kryetarja e KQZ-së, nuk deshi të japë ndonjë datë të saktë se kur do të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, por sipas saj, mund të ndodhë që kjo të bëhet javën e ardhshme.

“Nuk kisha dashur të jap ditë apo datë të certifikimit sepse duhet së pari të presim ta përfundojnë rinumërimin dhe pas asaj mund të flasim për data eventuale”, u shpreh Daka.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më pas ka të drejtën e përzgjedhjes se me cilën apo me cilat parti politike dëshiron ta formojë qeverinë e re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

XS
SM
MD
LG