Ndërlidhjet

Rezolutë e re për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Bruksel më 31 gusht, 2017.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Bruksel më 31 gusht, 2017.

Nxjerrja e një rezolute të re nga ana e Kuvendit të Kosovës, pritet t’i paraprijë hyrjes së Kosovës në fazën e re të dialogut me Serbinë. Kështu të paktën paralajmërojnë deputetët, sidomos ata nga tabori opozitarë.

Ndonëse rezolutat nuk kanë karakter obligativ, deputetët besojnë se përmes saj do të shprehet një qëndrim dhe vullnet politik i përfaqësuesve të shtetit, i cili më pas do të duhej të përfillej nga liderët politikë që do të përfaqësojnë vendin në dialogun me Serbinë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e fundit në Bruksel, në fillim të korrikut dhe në fund të gushtit të këtij viti, ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë paralajmëruar ngritjen e nivelit të përfaqësimit politik, në nivelin e presidentëve, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të partive në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se tashmë nevojitet një rezolutë e re nga legjislativi, me të cilën do të përcaktohej korniza e fazës së re të dialogut me Serbinë, niveli i përfaqësimit politik dhe përgjegjësitë e përfaqësuesit.

Ahmet Isufi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i së cilës, Ramush Haradinaj udhëheqë ekzekutivin e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekziston nevoja për një konsensus nacional për të përcaktuar formatin e bisedimeve dhe platformën e cila garanton mbrojtjen e interesave të Kosovës. Për një gjë të tillë, si dhe për nivelin e përfaqësimit në dialogun e Brukselit, sipas tij, nevojitet një pajtim i liderëve politikë.

Liderët institucionalë dhe politikë duhet të pajtohen për një marrëveshje të përbashkët, sa i përket bisedimeve, duke krijuar kornizën mbi dialogun, në interes të Kosovës, si dhe Kuvendi të nxirrte një rezolutë, e cila do të autorizonte autoritetet e shtetit se si do të duhej të zhvillohej dialogu dhe kush ta përfaqësojë atë”, tha Isufi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj nga radhët e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, para se të nisë faza e re e dialogut në Bruksel, është e domosdoshme që në Kuvendin e Kosovës të ekzaminohet situata lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme që kanë dalë nga dialogu me Serbisë, si dhe përfitimet nga ky proces. Sipas tij, në rast se vazhdojnë bisedimet, paraprakisht, do të duhej të qartësoheshin rolet e institucioneve të larta në raport me dialogun dhe kjo do të duhej të bëhej me një rezolutë të re të Kuvendit.

Do të ishte një udhërrëfyes se kah po shkon Kosova në këtë proces, në këtë dialog, cili është roli i Kryeministrit dhe i Kuvendit në këtë proces, cili është roli i Presidentit në këtë proces. Më pas, të vendosen ndoshta edhe konturat se kur mund të përfundojë ky proces, sepse është thënë se do të zgjasë disa vjet, por tash kemi hyrë në vitin e gjashtë që nga miratimi i rezolutës së fundit të Kuvendit të Kosovës, ku është autorizuar Qeveria”.

Prandaj, është imperativ dhe detyrim sot, që Kuvendi edhe një herë të deklarohet rreth kësaj, në mënyrë që edhe të hiqet pesha krejtësisht individuale dhe vendimi individual i presidentit, që e ka marrë që ai vet, që të involvohet në këtë proces dhe të tjerët t’i heqë nga loja, duke propozuar ide të ngjashme si ‘Grupi i unitetit’ dhe kështu me radhë”, thotë Selmanaj.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përfaqësimi në nivel presidentësh në dialogun e Brukselit, nëse ka edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, nuk do të duhej të refuzuar apriori nga subjektet politike parlamentare. Megjithatë, sipas tij, për një gjë të tillë, duhet ndërtuar konsensus.

Ne po themi që duhet një konsensus. Nëse nuk arrihet që të sigurohen votat për të kaluar një rezolutë në Kuvend, atëherë kjo dërgon mesazhin se një konsensus i tillë nuk ekziston. Kjo e bën pozitën, e cilitdo që e përfaqëson Kosovën në këtë dialog, qoftë Presidenti apo Kryeministri, më të dobët”.

Prandaj, është koha kur spektri politik në Kosovë duhet të fillojë të mendojë për gjërat përtej interesave individuale të partive dhe të mendohet pak më gjerë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash dhe këtu fajin e kanë të gjitha partitë politike, duke përfshirë këtu edhe zotin Thaçi, kur ai e drejtonte Partinë Demokratike të Kosovës”.

Rreth një muaj më parë, në një debat të organizuar ndërmjet shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ishte kërkuar që legjislativi të ketë një rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, si dhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Kuvendi i Kosovës, më 18 tetor të vitit 2012, pati miratuar një rezolutë që parashihte normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Përfaqësimi politik në dialog, deri më tash, ishte në nivelin e kryeministrave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG