Ndërlidhjet

Reklamat e qeverisë vënë në pikëpyetje lirinë e shprehjes  


Pamje nga Shkupi.
Pamje nga Shkupi.

Reklamat e qeverisë çojnë kah uzurpimi i politikave redaktuese, madje edhe kur bëhet fjalë për fushata me interes publik, siç është sensibilizimi i popullatës për vaksinim, dhe respektimi i masave për frenimin e koronavirusit, thonë punonjësit e mediave në Maqedoninë e Veriut.

Gazetarët kërkojnë që reklamimi i politikave të qeverisë, ku bëjnë pjesë dhe fushatat për frenimin e koronavirusit, dhe sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e procesit të vaksinimit, të jenë pa pagesë, sepse siç theksojnë, çdo qindarkë e dalë nga arka e shtetit synon të vë nën kontroll politikën redaktuese të mediave të caktuara.

Reklamat që janë pjesë e fushatës për frenimin e koronavirusit, si për shembull “Bëhu i përgjegjshëm - qëndro në shtëpi”, “Ruaj distancën - shpëto jetë”, “Mbaj maskë - thuaj stop virusit”, si dhe ato që kanë të bëjnë me rëndësinë e vaksinimit të popullatës, për momentin transmetohen vetëm në televizionin publik të Maqedonisë së Veriut, pasi reklamat e institucioneve të shtetit janë të ndaluara me ligj në mediat private.

Zyrtarë qeveritarë gjatë kësaj jave kanë realizuar takime me punonjësit e mediave për sa i përket mbështetjes së qeverisë për tërheqjen e nenit 102 të Ligjit për shërbime audio-vizuele, me qëllim që të mundësohet reklamimi i aktiviteteve të institucioneve të shtetit në mediat private, duke vënë theksin së fundmi në rëndësinë e sensibilizimit të opinionit sa i përket frenimit të koronavirusit dhe procesin e vaksinimit për imunizimin e popullatës, për çka do të ndahen mjete nga buxheti i shtetit.

“Ndryshimi i nenit 102 të ligjit në fjalë ka për qëllim që t’iu mundësojë institucioneve të realizojnë komunikim publik (përmes fushatave) me interes të përgjithshëm përmes radiodifuzerëve rreth temave që janë me interes vital për qytetarët dhe shtetin siç është vaksinimi, lufta kundër lajmeve të rreme, lufta kundër korrupsionit”, kanë theksuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Gazetarët thonë se çdo fushatë që ndërlidhet me pandeminë e koronavirusit, mediat private duhet ta transmetojnë pa pagesë, ashtu siç veprojnë mediat në vendet me demokraci të zhvilluara, pasi bëhet fjalë për nivelin e përgjegjësisë shoqërore.

Mlladen Çadikovski, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se në parim mbetet kundër reklamave të qeverisë, pasi koncepti për ndarjen e mjeteve nga arka e shtetit, për të reklamuar politikat e qeverisë, paraqet rrezik për faktin se në këtë mënyrë krijohet hapësirë që pushteti të ndikojë në politikën redaktuese të mediave.

“Duhet të ndiqen praktikat e vendeve të zhvilluara demokratike, ku ato (fushatat e ndryshme në interes të qytetarëve )janë pa pagesë, pasi janë me interes të përgjithshëm. Prej këtu vlerësojmë se nuk duhet të ketë ndryshim në këtë drejtim”, thotë Çadikovski duke shtuar se nëse shfaqet nevoja për fushata me interes publik për sa i përket menaxhimit të krizës së pandemisë në atë rast duhet të gjendet një mënyrë tjetër për të komunikuar me opinionin në lidhje me kushtet që ka ampular koronavirusi, siç mund të jetë “sigurimi i fondeve për mbështetjen e projekteve me interes publik rreth temave të ndryshme”.

Edhe Sefer Tahiri, ligjërues në Departamentin e Mediave në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë thotë për Radion Evropa e Lirë se është e drejtë që institucione të ndryshme të shtetit të promovojnë idetë dhe punën që bëjnë, por këtë duhet ta realizojnë përmes një raportimi profesional në media në bazë të standardeve etike.

Tahiri konsideron se blerja e hapësirave reklamuese në media të caktuara nga ana e qeverisë nuk është në përputhje me standardet evropiane sa i përket transparencës dhe llogaridhënies.

“Konsideroj se ne duhet ndjekim modelin e Bashkimit Evropian, i cili thotë se qeveria nuk mund të ndajë mjete apo fonde financiare për të bërë publicitet për punën e saj në media. Por ky proces duhet të jetë shumë i natyrshëm, në bazë të raporteve reciproke që ka qeveria me mediat, marrëdhënie këto që nënkuptojnë se qeveria bën punën e saj dhe media është ajo që do të vlerësojë nëse një projekt apo një aktivitet i caktuar meriton hapësirën informative”, thotë Tahiri.

Punonjësit në media me vite kanë kritikuar qeverinë e kaluar, e cila drejtohej nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, se përmes shumë fushatave që qeveria e atëhershme i cilësonte si fushata me interes publik, ka mundësuar që strukturat udhëheqëse të asaj kohe të kenë influencë në masë të caktuar në pjesën më të madhe të mediave, duke kërcënuar lirinë e shprehjes.

Disa prej fushtatave të asaj kohe përfshijnë edhe ato për promovimin e Maqedonisë së Veriut si destinacion turistik, rëndësinë e arsimimit dhe pajisjen e të rinjve me shkathtësi digjitale, fushatat kundër pirjes së duhanit dhe abortit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG