Ndërlidhjet

Maqedonia e V. në luftë me lajmet e rreme rreth vaksinës


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut thotë se po përgatit një fushatë informuese për qytetarët rreth rëndësisë së imunizimit kundër koronavirusit, duke vënë theksin mbi sigurinë e vaksinave kundër sëmundjes COVID-19.

Mjeku familjar, Liridon Disha thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet që sa më shpejtë të nisë fushata vetëdijesuese, që sipas tij, të mos i lihet hapësirë përhapjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale rreth vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

“Për t’i bindur qytetarët nevojitet një fushatë vetëdijesimi përpara se të fillojë vaksinimi. Mesazhet të cilat do të transmetohen në këto fushata, duhet të jenë të shkurtra dhe të qarta mbi përmbajtjen e vaksinës dhe aplikimin e saj. Në media duhet të dalin mjekë me renome, të cilët në vazhdimësi duhet të sqarojnë për përfitimet nga marrja e vaksinës. Dita e vaksinimit duhet të shihet si ditë feste, në të cilën fiton e mira ndaj të keqes”, thotë ai.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka porositur mbi 1.6 milion doza të vaksinave kundër koronavirusit. Prej tyre, 800 mijë doza janë të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, ndërkaq, 833 mijë të tjera janë nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program ky që ka për synim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra. Maqedonia e Veriut, më 18 janar bëri të ditur se do të marrë nga Serbia edhe 8 mijë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Megjithatë, vaksinat e para ende nuk kanë arritur në Maqedoni të Veriut, gjë që ka bërë që partitë në pushtet dhe ato në opozitë të shkëmbejnë akuza lidhur me vonesën e arritjes së tyre.

Ndryshe, në bazë të hulumtimit të realizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin e publikoi Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), më shumë se gjysma e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut besojnë në teoritë konspirative rreth koronavirusit.

Sipas këtyre të dhënave, më shumë se 40 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur të sigurt se nuk do të vaksinohen kundër koronavirusit. Ndërkaq, 10 për qind kanë thënë se me gjasë nuk do të pranojnë të vaksinohen.

Bojan Kordallov, specialist për marrëdhënie me publikun, thotë se niveli i mosbesimit të qytetarëve në vaksinë, ka të bëjë me faktin se për të më shumë flasin politikanët sesa ekspertët e shëndetësisë.

“Sa më shumë këtë çështja t’ia lëmë në duar ekspertëve të shëndetësisë, aq më pak do të kemi nevojë të luftojmë me lajmet e rreme. Përderisa drejtuesit politikë e shohin veten si kompetentë që të vlerësojnë se një ilaç i caktuar apo vaksinë është më shumë apo më pak efikase, do të kemi një situatë të tillë ku qytetarët do të bien pre e dezinformatave”, thotë Kordallov.

Ai shton se duhet të bëhet një fushatë vetëdijesimi për të bindur qytetarët se vaksinimi shpëton jetë.

Në opinion janë nxitur debate lidhur me atë nëse besimtarët myslimanë duhet ta marrin ose jo vaksinën kundër koronavirusit, pas dyshimeve se vaksina përmban xhelatinë derri, pra nuk është prodhim sipas standardeve “hallall”.

Nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se vaksinat që pritet të vijnë mbesin të pranueshme, pavarësisht se për momentin për to nuk ka informacione nëse janë prodhuar me standardet “Hallall”. Nga kjo bashkësi thonë se përmes vaksinës kundër koronavirusit do të shpëtohet jeta e shumë qytetarëve.

“Për ne mbetet e pranueshme vaksina të cilën e rekomandojnë institucionet përkatëse të shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut dhe u rekomandojmë besimtarëve myslimanë ta marrin të njëjtën, derisa nuk kemi një zgjedhje tjetër”, kanë theksuar nga Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, vazhdimisht ka thënë se sistemi shëndetësor i vendit është i përgatitur për të realizuar fushatën e vaksinimit, duke bërë të ditur se 5 mijë e 850 dozat e para të vaksinës do të arrijnë në shkurt.

Maqedonia e Veriut po ashtu ka siguruar dy frigoriferë ku do të ruhen vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech, të cilat kërkojnë një temperaturë prej minus 70 gradë Celsius.

Të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit shëndetësorë, pasuar nga banorët e shtëpive të pleqve si dhe grupet e tjera që janë më të rrezikuara.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG