Ndërlidhjet

FH: Refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën, sfidë e madhe në demokratizim


Rrugët e Prishtinës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Rrugët e Prishtinës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pavarësisht një viti të turbullt për shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës, pozita e këtij vendi në rrugën drejt demokratizimit ka mbetur e njëjtë me atë të vitit të kaluar, është thënë në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare, Freedom House për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë.

Problemet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kyçe në rrugën e Kosovës përpara.

Në vlerësimin për vitin 2023, prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta më të lartin, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.

Sa u përket vendeve të rajonit, Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë ndryshuar, po ashtu, pozitë, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.

Përveç Kroacisë, vendet tjera të Ballkanit janë në listën e vendeve me regjim hibrid të qeverisjes, sipas vlerësimeve të Freedom House, organizatës me seli në Uashington.

Megjithatë, Kosova përmendet si vend me regjim hibrid të drejtuar kah demokracia, Serbia kah autokracia, ndërsa Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina si të përziera në të dyja anët.

Protestat në veri, incidenti në Banjskë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Në pjesën për Kosovën, në raport përmendet se më 2023, mospajtimet me Serbinë kanë hyrë në një fazë të re të përshkallëzimit të tensioneve.

“Protestuesit serbë të Kosovës janë përleshur dhe i kanë plagosur 30 trupa të NATO-s në maj, dhe serbë të armatosur kanë kryer sulm në shtator, në të cilin janë vrarë katër persona, përfshirë një zyrtar policor”, është thënë në raport.

Vlerësimi ka qenë referencë për protestat e majit në tri komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - si shenjë kundërshtimi për hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale, si dhe për sulmin e shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në të cilin është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe në shkëmbim e sipër të zjarrit edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, i cili besohet se tani është në Serbi, dhe për të ekziston një fletarrestim ndërkombëtar prej Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për organizim dhe kryerje të sulmit, mirëpo Beogradi zyrtar i hedh poshtë vazhdimisht akuzat.

“Në shumë vende, por sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor, liderët politikë po e shfrytëzojnë fokusin më të madh në sigurinë rajonale si arsyetim për t’i përmbysur institucionet demokratike dhe për t’i shmangur normat demokratike”.

Në raport është përmendur, po ashtu se Qeveria aktuale në Kosovë, e cila e ka nisur udhëheqësinë më 2021, “është përpjekur që ta largojë vendin prej trashëgimisë së konfliktit parlamentar, duke promovuar një agjendë reformash të bazuara në sundim të ligjit”.

“Kryeministri Albin Kurti ka iniciuar proces të ri të vettingut për gjyqtarët. Mirëpo, refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës vazhdon të jetë barrierë e madhe për demokratizim. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në fillim të vitit 2023, vitin e ka përcjellë jostabiliteti dhe përshkallëzimi i dhunës së nxitur pjesërisht prej lidhjeve jozyrtare të Beogradit me grupet e organizuara kriminale”.

Në shkurt të vitit 2023, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa në mars për një aneks zbatimi.

Megjithatë, palët nuk i kanë nënshkruar marrëveshjet dhe kanë bërë pak për zbatimin e tyre.

Në raportin e Freedom House është përmendur, gjithashtu, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ndaj “qasjes së ashpër të Kurtit në negociatat me Beogradin, dhe mungesën e konsultimeve me komunitetin e serbëve të Kosovës”, çka, sipas raportit, “i ka komplikuar përpjekjet e Qeverisë për t’u çliruar prej kësaj sfide afatgjatë”.

Serbia shënon ‘rënien më të madhe’

Në raportin për vitin 2023, Freedom House ka thënë se Ukraina e ka shënuar përparimin më të madh në procesin e demokratizimit, ndërsa Serbia rënien më të madhe.

Prej 3.79 pikëve sa i ka pasur vitin paraprak, Serbia tani është vlerësuar me 3.61 pikë.

Rënia, siç është thënë, historike, u është atribuuar përpjekjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të konsoliduar pushtetin.

“Të shtënat masive në maj patën nxitur protesta përgjatë verës, ndaj të cilave Qeveria serbe është përgjigjur me zgjedhje të parakohshme të manipuluara në dhjetor.

Për më shumë, udhëheqësia e Vuçiqit është përshkruar e atillë që e ka ruajtur pushtetin me procese të manipuluara zgjedhore, me dominim në media publike dhe private, përmes njollosjes së anëtarëve të opozitës dhe aktivistëve, si dhe frikësimit të udhëheqësive komunale.

Vendet tjera të rajonit

Freedom House përmend se më 2023, Maqedonia e Veriut është përballur me kthim të madh mbrapa në fushën e sundimit të ligjit, pasi partitë kanë pasur mospajtime të theksuara për amendamentet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për të shmangur veton e Bullgarisë në rrugën e Shkupit drejt integrimeve evropiane.

Mali i Zi është thënë se ende po mbledh copëzat e veta, pas krizës kushtetuese të vitit 2022, dhe se është përballur me qeverisje komunale jofunksionale dhe të korruptuara në mungesë të stabilitetit në nivel kombëtar.

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, Freedom House ka vlerësuar se vlerësimi i shpifjes si vepër penale në Republikën Sërpska qysh prej korrikut të vitit të kaluar, ka rritur presionin mbi gazetarët, në një ambient që veçse ka qenë me trend të rënies, sa i përket gjuhës së urrejtjes dhe sigurisë fizike.

Në përgjithësi, Freedom House ka thënë se prej 29 vendeve të analizuara prej Evropës Qendrore e deri te Azia Qendrore, 10 kanë shënuar rënie, ndërsa vetëm pesë kanë shënuar përparim.

Organizata ndërkombëtare e bën vlerësimin për nivelin e demokratizimit të vendeve të këtij rajoni prej vitit 1995 dhe e kategorizon secilin vend në bazë të llojit të regjimit.

Për të 20-tin vit me radhë, Freedom House ka regjistruar rënie të nivelit të demokratizimit në rajonin që vëzhgon.

Lufta e Rusisë në Ukrainë – e nisur në shkurt të vitit 2022 – dhe pushtimi që ka kryer regjimi i Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakut, është thënë të kenë përshpejtuar një renditje të re gjeopolitike.

“Fati i demokracisë evropiane tani varet kryesisht prej gatishmërisë së shteteve demokratike për të adoptuar një qasje më aktive ndaj sigurisë në rajon, sidomos duke e mbështetur Ukrainën”, ka thënë Mike Smeltzer, bashkautor i raportit dhe hulumtues i lartë për Evropën dhe Euroazinë.

“Çdo dështim për t’i dalë zot demokracisë gjatë këtij momenti kritik do ta bëjë më të kushtueshëm kontrollimin e zgjerimit të regjimeve autoritare në të ardhmen, si në rajon ashtu edhe në botë. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të veprojnë tani për të garantuar humbjen e Moskës gjatë pushtimit të Ukrainës, për të mbrojtur institucionet dhe normat demokratike”, ka thënë ai.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG