Ndërlidhjet

Hovenier: Nga Qeveria e Kosovës presim të punojë në partneritet me ne


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Fotografi nga arkivi.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Fotografi nga arkivi.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se pret nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të punojë në partneritet me Uashingtonin, në mënyrë që në Kosovë të ketë përparime.

Gjatë një konference të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 25-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së fundit, Hovenier përsëriti qëndrimin amerikan se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillon dialog politik, që synon normalizimin e raporteve mes shteteve. Gjatë procesit janë arritur shumë marrëveshje, por pak prej tyre zbatohen në terren. Vitin e fundit palët u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, por sipas Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi nuk po e zbatojnë të njëjtën.

SHBA-ja, që mbështet dialogun e Brukselit, vazhdimisht u kërkon palëve që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut.

Raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë tendosur së fundi për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke thënë se kjo çështje ka paraqitur sfida në raportet dypalëshe.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës nuk po e trajton Uashingtonin si partner.

Ndërkaq, duke kujtuar ndërhyrjen para një çerek shekulli të NATO-s në Kosovë, për t’i dhënë fund, siç tha ai, “spastrimit etnik” në Kosovë nga “makineria [e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan]Millosheviqit”, Hovenier tha se shteti i tij është i përkushtuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

“Dua të riafirmoj përkushtimin tonë drejt sigurimit që ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur para 25 vjetësh në Kosovë të mos ndodhin më kurrë. Mbesim të përkushtuar që të mbështesim rolin stabilizues që luhet nga forca e NATO-s, KFOR”, tha Hovenier, duke theksuar se ndërhyrja e NATO-s ishte edhe i domosdoshëm, edhe legjitim “duke marrë parasysh krizën humanitare që bota po shihte në kohë reale”.

Më 24 mars bëhen një çerek shekulli nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999, në Kosovë filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje, në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka numër shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG