Ndërlidhjet

Erdogan kritikon ashpër OKB-në për luftën në Gazë


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër Kombet e Bashkuara dhe i bëri thirrje “botës islamike” të reagojë pas sulmeve të fundit vdekjeprurëse izraelite në Gazë.

“OKB-ja nuk mundet ta mbrojë as stafin e vet. Çfarë po prisni që të veproni? Shpirti i OKB-së është i vdekur në Gazë”, tha Erdogan para ligjvënësve të partisë së tij, AKP, më 29 maj.

Deklaratat e Erdoganit vijnë në ditën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet për të diskutuar për sulmet e fundit të Izraelit në një kamp në Rafah.

Sulmi i fundit në një kamp në perëndim të Rafahut të martën la të vrarë 21 persona, sipas zyrtarëve të Mbrojtjes Civile në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Po ashtu, të dielën u vranë dhjetëra persona në një kamp në Rafah.

Presidenti turk po ashtu kritikoi shtetet me shumicë myslimane për dështim që të marrin një veprim të përbashkët sa i përket sulmeve izraelite.

“I kam disa fjalë që dua t’ia them botës islamike: çfarë po prisni që të merrni një vendim të përbashkët”, tha Erdogan.

“Izraeli nuk është vetëm kërcënim për Gazën, por për gjithë njerëzimin”, shtoi ai.

Sipas presidentit turk, asnjë shtet “më nuk është i sigurt pasi që Izraeli nuk respekton ligjin ndërkombëtar”, duke përsëritur akuzën e tij se Izraeli po kryen “gjenocid” në Gazë.

Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, Erdogan vazhdimisht ka kritikuar Izraelin për veprimet në këtë territor palestinez.

Erdogan po ashtu ka thënë se nuk e konsideron Hamasin organizatë terroriste dhe sipas tij, por sipas tij është një grup luftues për çlirimin dhe mbrojtjen e tokave palestineze.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG