Ndërlidhjet

Erdogan thotë se Hamasi nuk është organizatë terroriste


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se grupi militant palestinez, Hamas, nuk është organizatë terroriste, por një grup luftues për çlirimin dhe mbrojtjen e tokave palestineze.

Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka dënuar vrasjen e civilëve nga Hamasi më 7 tetor gjatë sulmeve në jug të Izraelit, por po ashtu u ka bërë thirrje forcave izraelite të frenohen gjatë përgjigjes së tyre. Ankaraja ka kritikuar fuqishëm bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës.

“Hamasi nuk është organizatë terroriste, është grup çlirimtar, ‘muxhahedin’, që po zhvillon betejë për mbrojtjen e tokave dhe popullit të tij”, tha ai para ligjvënësve të partisë turke në pushtet AK, duke përdorur fjalën arabe “muxhahedin” që nënkupton personat që luftojnë për besimin e tyre.

Për dallim nga shumë nga aleatët e saj të NATO-s dhe nga Bashkimi Evropian, Turqia nuk e konsideron Hamasin organizatë terroriste dhe në territorin turk ka pjesëtarë të këtij grupi. Ankaraja mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin prej dekadash mes Izraelit dhe palestinezëve.

Erdogan po ashtu kritikoi fuqitë perëndimore për mbështetjen e Izraelit në bombardimin e Gazës dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, dërgimin e ndihmave humanitare pa pengesa në Gazë dhe që shtetet myslimane të punojnë së bashku për t’i dhënë fund dhunës.

“Autorët e masakrës dhe shkatërrimit që po ndodh në Gazë janë ata që po i japin mbështetje të pakufizuar Izraelit”, tha Erdogan. “Sulmet e Izraelit në Gazë, si për veten por edhe për ata që i mbështesin, përbëjnë vrasje dhe sëmundje mendore”.

Izraeli hodhi poshtë përshkrimin që Erdogan i bëri Hamasit dhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lior Haiat, tha se ky grup “është organizatë terroriste”.

“Edhe përpjekjet e presidentit turk për të mbrojtur organizatën terroriste dhe fjalët e tij nxitëse nuk do të ndryshojnë tmerret që ka parë e gjithë bota”, shkroi Haiat në X, që më herët njihej si Twitter.

Lidhur me deklaratat e Erdoganit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, i cili tha se ishin “të pështira dhe nuk ndihmojnë me shtensionimin e situatës”.

Luftimet në Gazë vijnë në kohën kur Turqia po punon për të përmirësuar raportet me Izraelin, pasi për vite të tëra këto dy shtete kanë pasur mosmarrëveshje.

Duke lënë të nënkuptohet se përpjekjet për normalizimin e raporteve tani janë pezulluar, Erdogani e akuzoi Izraelin se po shfrytëzon “qëllimet e mira” të Turqisë, dhe tha se ka anuluar vizitën në Izrael që më herët e kishte planifikuar.

Erdogan po ashtu akuzoi Perëndimin për hipokrizi, pasi sipas tij ka dështuar që të përgjigjet në atë që e cilësoi si “masakër të qëllimshme” të Izraelit në Gazë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG