Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e ratifikuar këtë javë në Kuvendin e Kosovës, është në të mirën e qytetarëve dhe nuk e dëmton vendin.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të shtunën në Gllogjan me rastin e 20- vjetorit të "Epopesë së Dukagjinit" se votimi i Marrëveshjes së demarkacionit në Kuvend, nuk është bërë për mashtrime, por ajo është bërë për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe, siç u shpreh ai, do të fitohet e drejta për ta ruajtur tokën e Kosovës në Çakorr e Kullë.
"Nuk është bërë kjo duke e mashtruar askënd as [persona] të vendit as të jashtëm. Edhe Mali i Zi edhe ne i kemi ndarë drejtimet euro-atlantike. Duam të hyjmë në Evropë, duam të hyjmë në NATO. Mali i Zi ka hyrë në NATO dhe ne do të hyjmë në NATO", tha Haradinaj.
Ai theksoi se Kosova është në rrugë e duhur dhe pavarësisht sfidave që mund të ketë, nuk do të ndalet.
"Ka filluar mijëvjeçari ynë, i shqiptarëve, jemi në shekullin e parë, jemi në nisje, jemi në liri dhe jemi duke u takuar e bashkuar me familjen tonë të popujve të lirë. Në këtë rrugë do të ketë ulje e ngritje, por ne nuk do të ndalemi se e dimë se ku jemi nisur", theksoi Haradinaj.
Nga ana tjetër, zyrtarët e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje i thanë Radios Evropa e Lirë, se Marrëveshjen e ratifikuar për demarkacionin me Malin e Zi, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Ata thanë se një veprim i tillë erdhi për shkak se me votën e deputetëve është cenuar rëndë integriteti territorial i Kosovës.
Ali Lajçi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, tha se kjo çështje është në proces dhe se brenda afateve kohore, ajo do të dërgohet në gjykatë.
"Po për këtë çështje është përgatitur lënda për në Gjykatën Kushtetuese dhe ta shohin se çka do të ndodhë. Ky demarkim nuk është asgjë, vetëm ngatërresa janë bërë me të", u shpreh Lajçi.
Analisti Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, ka edhe mundësi juridike për t'u kontestuar ajo me mjetet demokratike nga partitë politike që janë të përfaqësuar në Kuvend.
"Pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje mundësitë janë të mëdha që të kontestohet në Gjykatën Kushtetues. Dhjetë deputetë mundën që brenda tetë ditësh ta kontestojnë çdo veprim të Kuvendit, si për nga përmbajtja apo edhe nga procedurat, të cilat janë ndjekur".
"Futja e raportit të Komisionit Bulliqi, i cili konstaton se janë bërë një sërë shkeljesh paraprakisht, mund të shërbejë si një bazë për ta argumentuar se kjo marrëveshje është e dëmshme ashtu siç ka pretenduar Lëvizja Vetëvendosje dhe kjo të çojë në një ngrirje të këtij raporti derisa të dalë me një vendim Gjykata Kushtetuese", tha Krasniqi.
Me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit ishte zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.
Lëvizja Vetëvendosje tentoi që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës. Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, solli si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.
Pas ratifikimit të demarkacionit, Kosova pret që Komisioni Evropian, qysh në muajin qershor, të konfirmojnë gatishmërinë e BE-së për lëvizjen e lirë, pa viza.
Facebook Forum