Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkup 1, pritet të sjellë vendim nëse të akuzuarit për rastin e njohur si, “Monstra” do të lirohen nga paraburgimi, pasi të premten Gjykata Supreme e riktheu këtë rast në rigjykim.
Rasti “Monstra” ka të bëj me vrasjen e katër të rinjve maqedonas dhe një peshkatari më të moshuar, që kishte ndodhur në prill të vitit 2012, në vendin e quajtur Liqeni Smilkovës në afërsi të Shkupit, ndërsa gjashtë shqiptarët e dënuar ishin arrestuar më 1 maj të po të njëjtit vit.
Kërkesa për rigjykim ishte mbështetur edhe nga Prokuroria Publike për arsye të dëshmive të reja për këtë rast.
Familjarët e të akuzuarve thonë se të afërmit e tyre janë të pafajshëm dhe pas vendimit të Gjykatës Supreme që ky rast të kthehet në rigjykim, duhet që të gjithë të akuzuarve t’u mundësohet të mbrohen ne liri.
Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve thotë se vendimi i Supremes për rigjykim, paraqet dëshmi se ky rast ka qenë i montuar nga pushteti i kaluar, për motive politike.
“Presim që të ndërpritet paraburgimi dhe të caktohet seanca e rregullt gjyqësore pasi të jetë bërë një hetim i pavarur jashtë kthetrave të politikës”.
“Sigurisht se shpresat janë të mëdha. Deri këtu nuk do të kishte ardhur nëse nuk do të kishte një argument shumë të fortë, si e para nga Prokuroria, pastaj edhe nga Gjykata. Do me thënë ka argument shumë të fortë që është marrë një vendim i tillë për anulimin apo shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë dhe gjykatës së apelit, kështu që shpresojmë dhe besojmë përfundimisht do të lirohen të akuzuarit për rastin “Monstra” si të pafajshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bedri Ajdari nga këshilli i familjarëve.
Familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra” kanë kërkuar që këtë rast ta marrë përsipër Prokuroria Speciale Publike, duke ofruar të gjitha dëshmitë që posedojnë në kuadër të bisedave të përgjuara.
Në këtë drejtim, Besa Arifi ligjëruese e të drejtës penale në kuadër të Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se në qoftë se ka biseda të tilla të përgjuara që lidhen me rastin, dhe që kanë të bëjnë me ndonjë fakt të rëndësishëm lidhur me këtë rast, atëherë këto prova do të ishin kruciale për të hedhur dritë mbi atë se çka në të vërtetë ka ndodhur me vrasjen e të rinjve maqedonas në liqenin e Smilkovës.
“Mendoj se është shumë me rëndësi nëse ekzistojnë prova të tilla të mundet të njëjtat të përdoren si dëshmi në kuadër të këtij rasti, dhe një gjë e tillë është e mundur, sepse pavarësisht se ata janë të siguruara në formë ilegale, megjithatë nëse ato biseda vërtetojnë diçka me rëndësi lidhur me rastin “Monstra”, përdorimi i tyre është i barabartë edhe me ligjet vendase po edhe me praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, thotë Arifi.
Ajo njëherësh thekson se me vetë faktin që rasti “Monstra” kthehet në rigjykim, me kërkesë të ushtrueses së detyrës së prokurores së Maqedonisë e cila kërkoi heqjen e vendimeve të shkallës së parë dhe të dytë të gjykatave lidhur me këtë rast, për shkak se nuk ishte e bindur sa duhet në provat të cilat janë përdorur në këto dy aktgjykime, paraqet një hap shumë të rëndësishëm për arsye se organi i ndjekjes, siç është Prokuroria Publike thotë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit për këtë rast janë fajtorë.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm që të shikohet edhe një herë në kushte të reja dhe të shprehem në kushte më demokratike, ky rast i cili është shumë kompleks dhe shumë i ndjeshëm. E para sepse behët fjalë për një vepër shumë të rëndë penale, por nga ana tjetër për shkak se bëhet fjalë për prova të diskutueshme që janë marrë kundër të akuzuarve për këtë rast”, thotë Besa Arifi, njohëse e çështjeve juridike.
Katër nga të dënuarit për këtë rast: Halil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, po vuajnë dënimin në burgun e Shkupit, ndërsa dy të tjerë, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq po ashtu të dënuar me burg të përjetshëm, ndodhen në arrati.
Zbardhjen e këtij rasti në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe vetë kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev gjatë publikimit të bisedave të përgjuara në cilësinë e liderit të opozitës. kishte deklaruar se të dënuarit për rastin “Monstra” mund të jenë të pafajshëm.
Përderisa nga VMRO-DPMNE, e cila drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski sot (të hënën) kanë theksuar se në asnjë mënyrë nuk duhet të lirohen personat e akuzuar për këtë rast.