Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti, 313 raste të reja me kancer të gjirit


Foto nga arkivi, nga ecja tradicionale kundër kancerit të gjirit në Prishtinë.
Foto nga arkivi, nga ecja tradicionale kundër kancerit të gjirit në Prishtinë.

Arnisa Osmani ishte diagnostikuar me kancer në gji, në shtator të vitit 2018. Ajo e ka fituar betejën me këtë sëmundje. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Arnisa thotë se sfidat kanë qenë të shumta, kurse beteja nuk ka qenë fare e lehtë. Ajo beson se me vullnetin e saj dhe përkrahjen e familjes dhe rrethit, ia ka dalë ta mposhtë kancerin.

“Në shtator të vitit 2018, jam diagnostikuar me kancer në gji. Të diagnostikohesh me kancer, nuk është e lehtë, nuk është ndjenjë e mirë. Vetëm fjala kancer mjafton vetëm ta përmendësh, e lëre më të të thonë se je e diagnostikuar me kancer. Por, unë e kam marrë me lehtësi. I kam thënë vetes se çfarëdo që të del para, duhet të hysh në betejë, duhet ta fitosh atë betejë dhe e fitova”.

“Por, nuk është e lehtë. I kam pasur dy intervenime dhe i kam kaluar me sukses, por pastaj terapia nuk është e lehtë, është e mundimshme, si fizikisht, si psikikisht, por vullneti edhe motivi e sidomos përkrahja e personave, e familjes dhe rrethit, ma kanë bërë më të lehtë gjithë këtë sfidë”, tregon ajo .

Arnisa thotë se ishte operuar në një spital privat, kurse terapinë e ka marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Terapi për këtë lloj të kancerit, që unë e kam pasur, kishte të mjaftueshme, ndonëse ka raste kur aty ka edhe mungesë terapie”, thotë Arnisa.

Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë paraqitur 313 raste të reja me kancer të gjirit.

Krahasuar me vitin e kaluar, për periudhën e njëjtë kohore, vërehet se ka një rritje të rasteve të kësaj sëmundjeje për rreth tre për qind.

Ajo çka mbetet shqetësuese në vend, sipas ekspertëve mjekësorë, është se gratë paraqiten me vonesë te mjeku, apo atëherë kur sëmundja avancon.

Ilir Kurtishi, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se muaji tetor është muaj i vetëdijesimit të grave për sëmundjen e kancerit të gjirit, andaj edhe gjatë gjithë muajit janë mbajtur aktivitete të ndryshme me qëllim të sensibilizimit të grave për kontrolle më të shpeshta.

“Këtë vit kanë qenë 313 raste të reja me kancer në gji dhe numri më i madh i rasteve që janë paraqitur në Institutin Onkologjik ka qenë me stade të avancuara. Mosha e grave të prekura sillet rreth të 50 tave”, bën të ditur Kurtishi.

Sipas tij, ndonëse nuk ka statistika të sakta për vdekshmërinë nga sëmundja e kancerit, ka shifra të përafërta.

“Marrë në përgjithësi, personat me kancer në Kosovë, rreth 1/3 e rasteve, vdesin. Kjo nuk është shifër vjetore po e rasteve që kalojnë nga viti në vit”, thekson Kurtishi.

Ndryshe, në Kosovë, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit "Jeta-Vita", është formuar 12 vjet më parë, dhe në vazhdimësi ka lobuar për t’i vetëdijesuar gratë për kontrolle të shpeshta dhe diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit.

Nafije Latifi, drejtuese e kësaj qendre, thotë se tash e 12 vjet, gjatë muajit tetor, organizohen manifestime të shumta për gratë, në luftë kundër kancerit.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG