Gjatë vitit 2024, ju kemi sjellë materiale të ndryshme, shumica prej të cilave prekin drejtpërdrejt qytetarin e Kosovës.
Përmes këtij artikulli, po ju risjellim disa prej tyre, të cilat ia vlen t'i lexoni dhe t'i shikoni sërish.
Nga ara në plazhe: Ballkani i zhytur në krizën e mbeturinave
Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi janë listuar ndër dhjetë vendet e para në botë ku mbeturinat nuk ndahen në burim.
Deponitë e stërmbushura, mbeturina të përziera dhe ndotje e tokës janë pamje të shpeshta në këto tri shtete të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, menaxhimi i tyre vazhdon të jetë jashtë standardeve të BE-së.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova disa herë që kjo deponi të mbyllet dhe të rehabilitohet për shkak të “ndikimit negativ në mjedis”.
Për trajtimin e kësaj teme, kolegia Doruntina Baliu ka fituar Çmimin për Raportimin mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Industria që gërryen dhe braktis bjeshkët
Sipas të dhënave, të paktën 1 për qind e territorit të Kosovës llogaritet se është degraduar nga industria e nxjerrjes së gurëve.
Kjo industri, sipas raporteve zyrtare, i ka kushtuar mjedisit, sidomos pasi shumica e guroreve nuk janë rehabilituar pas përfundimit të aktiviteteve.
Një hapësirë të dëmtuar në Sankoc të Drenasit e ka vizituar Radio Evropa e Lirë. Nga kjo komunë kanë thënë se kompania kishte shfrytëzuar pa leje zonën për të nxjerrë gurë.
Ekspertët kanë thënë se dëmet nga industria e nxjerrjes së gurit përfshijnë ndotje të ujit, ajrit e biodiversitetit.
"Ai vetëm emrin babë e ka": E mbijetuara e dhunës në familje që iku nga i ati
Në podkastin Libertas kemi sjellë personazhe frymëzuese, rrëfime të pjesëtarëve të komunitetit LGBT, por edhe kemi folur për shëndetin mendor.
Kësaj radhe, po iu risjellim rrëfimin e një të mbijetuare të dhunës në familje.
Ajo tregoi se, pasi i vdiq bashkëshorti, u kthye në shtëpinë e babait të saj, ku u përball me dhunë sistematike, shpesh edhe në prani të dy fëmijëve të saj.
Kjo e mbijetuar e dhunës në familje tregoi, po ashtu, edhe momentin kur vendosi ta raportonte të atin në polici, por foli edhe për trajtimin e traumave të shkaktuara nga dhuna.
“Ma mori dritën e syve”
Ky është një rrëfim i dhimbjes së nënës së Eronës, 20-vjeçares që u vra në prill, në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj.
“Unë vazhdoj t’i them çdo ditë ‘mirëmëngjesi’ dhe ‘natën e mirë’ Eronës”, tha me zërin që i dridhej Milihate Cokli, teksa prekte fotografinë e vajzës së saj.
Ajo rrëfeu se si e kuptoi se vajza e saj, Erona, ishte vrarë, ndërsa djali i saj, Driloni, ishte plagosur, teksa po shoqëronte motrën në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
“Kur e pashë Drilonin e plagosur në spital, e dija që do të shërohej... dhe nisa të bërtas: ku e kam çikën”, tha Melihatja.
“Sa shumë dhimbje... Dritën e syve që kisha, ma mori”.
Erona është në mesin e 58 grave që janë vrarë në Kosovë në 14 vjetët e fundit. Shpesh dorasit janë partnerët apo ish-partnerët e viktimave.
Ky rrëfim i Milihates, i sjellë nga kolegia Nadie Ahmeti, dhe i ilustruar nga fotografitë e realizuara nga kolegu Arben Hoti, ka fituar Çmimin për Web Storien më të mirë të vitit, të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Shitblerje të dyshimta e uzurpime - Lufta e pasuksesshme për kthimin e pronave në Kosovë
Lubisha Ceroviq, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, që mbi 20 vjet tenton që ta kthejë tokën e familjes së tij, që tha se është shitur ilegalisht pas luftës në Kosovë, pasi familja e tij u shpërngul në Serbi.
Tokën s'arriti ta kthente as pas një vendimi të një gjykate në Kosovë në favor të tij.
Ai tregoi për Radion Evropa e Lirë se toka e familjes, në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.
Me probleme të tilla përballen edhe shqiptarët, veçmas ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në banesën prej 52 metrash katrorë, ai, së bashku me familjen e tij, qëndroi deri në mars të vitit 1999, kur forcat e NATO-s nisën bombardimet ndaj caqeve serbe.
Si rrodhën paratë për pishinën e zbrazët?
Më 2006, para se Kosova të shpallte pavarësinë, në Leposaviq ishte dizajnuar një projekt që përfshinte ndërtimin e qendre sportive, me një pishine olimpike dhe me dy pishina përcjellëse.
Por, tani, në vendin ku u dizajnua ky projekt, ndodhet një gropë e betonuar në formë të pishinës.
Nën udhëheqjen e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – nisën punimet për ndërtimin e kësaj pishine.
Por, tenderët e dhënë për pishinën olimpike në Leposaviq po gjykohen si krim i organizuar. Të përfshirë në një aktakuzë të gjerë për krim të organizuar janë 15 persona, ku bëjnë pjesë zyrtarë e biznesmenë shqiptarë dhe serbë.
Shtrirja e autoritetit në veri: Për dikë gëzim, për të tjerë sfidë dhe vështirësi
Autoritetet e Kosovës gjatë këtij viti kanë ndërmarrë disa veprime në veri, që serbët nuk i kanë mirëpritur, por që autoritetet kanë thënë se po bëhen për të shtrirë sovranitetin.
Në veriun e banuar me shumicë serbe janë mbyllur disa institucione, sikurse Posta e Serbisë, Kursimorja e Postës, Organet e Përkohshme Komunale, Thesari i Bankës Popullore të Serbisë dhe Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, të cilat janë zëvendësuar nga institucione, posta dhe banka që operojnë në sistemin e Kosovës.
Po ashtu, është ndaluar përdorimi i dinarit serb për pagesa. Kjo ia ka vështirësuar jetën qytetarëve si 80-vjeçarja nga Leposaviqi, Sllobodanka Llazoviq, e cila jeton vetëm dhe merr pension nga Serbia. Ajo nuk mund të shkojë në Serbi që ta marrë pensionin, sikurse bëjnë shumica e serbëve në veri.
Por, për Zahir Mehmetin nga Mitrovica e Veriut, situata është ndryshe. Ai, këtë vit, ka arritur të kthehet në shtëpinë e tij, e cila ishte shkatërruar gjatë luftës, rreth 25 vjet më parë.
Pse duhet hetim ndërkombëtar për Ibër-Lepencin?
Më 29 nëntor, në Varragë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim në kanalin e rëndësishëm të ujit të Ibër-Lepencit.
Kosova tha se beson se prapa sulmit me mjete shpërthyese qëndron Serbia. Ky kanal konsiderohet infrastrukturë kritike për Kosovën, pasi me të furnizohen me ujë të pijes një pjesë e Kosovës dhe ftohen edhe termocentralet.
Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do ta hetojë rastin.
Kosova veçse po kryhen hetim për rastin. Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar për hetimet.
Për programin Exposé të Radios Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, Mark Ellis, tha se mbështet idenë e një hetimi të tillë, në mënyrë që “situata të mos përshkallëzohet në diçka shumë më serioze”.
Sipas tij, Kosova ka disa partnerë ndërkombëtarë që mund të jenë të paanshëm dhe të ofrojnë ndihmë në hetimin e sulmit në Ibër-Lepenc.
Edhe ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, përkrahu idenë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ta hetuar këtë çështje, pavarësisht se tha që Kosova është e aftë të bëjë hetime profesionale.
Dreka, udhëtime, takime: Ku shkuan paratë e Kosovës për lobim në SHBA?
Nga korriku i vitit 2023, e deri në janar të vitit 2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka paguar dy kompani me afër 277.000 euro për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Përveç shumës së paguar sipas marrëveshjes për lobim, kompanitë në pronësi të Afërdita Rakipit dhe Avni Mustafajt kanë deklaruar edhe shpenzime shtesë.
Por, shumica e këtyre shpenzimeve, të deklaruara në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) në Departamentin amerikan të Drejtësisë, dolën të kenë shkuar për ushqime, në ato që janë deklaruar si takime pune dhe udhëtime.
Pjesa më e madhe e takimeve janë zhvilluar nëpër restorante të ndryshme në Prishtinë, edhe pse në kontratën e lobimit thuhet se ata do të ofronin këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.
Ndërkaq, në pjesën e dytë të këtij shkrimi, me titullin "Dy kompani paguhen për ta kryer të njëjtën punë: Si po lobon Kosova në SHBA?", del se Rakipi dhe Mustafaj ishin paguar me nga 147.000 euro për lobim.
Megjithatë, nga shkurti e deri në fund të korrikut, ata kishin funksionuar sikur të ishin një kompani e vetme.
Nga 13 kontaktet e raportuara nga Mustafaj, të gjitha janë identike me ato të raportuara nga Rakipi.
Përveç këtyre, Rakipi ka raportuar edhe dy kontakte shtesë - një takim më 11 mars dhe një takim më 24 maj.
Varret pa qetësi
Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë përballen me identifikime të pasakta të mbetjeve mortore.
Flurim Hajdarit iu vranë pjesa më e madhe e familjarëve, gjatë masakrës në Krushë të Vogël të Prizrenit. Çdo ditë, ai kalon pranë pllakave të shtruara të varreve të vëllezërve dhe të babait të tij.
Por, gjashtë varret mbajnë vetëm pesë emra.
Njëri mbetet i thatë, pasi që një vëlla i Flurimit, Veseli, është ende i pagjetur.
Rreth 9 vjet më parë, ai u njoftua se zyrtarë të Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) po zhvarrosnin trupat e tre vëllezërve të tij, me arsyetimin se duhej të verifikoheshin disa informata.
Eshtrat u dërguan për teste në Prishtinë dhe disa muaj më vonë, Flurimit i ishte thënë se eshtrat në ato varre u përkisnin edhe shtatë njerëzve të tjerë, gjithashtu të pagjetur nga masakra në Krushë të Vogël.
“Unë nuk e di se si dolën prej tre personave edhe shtatë të tjerë. Nuk e di. Unë më nuk kam pse t’iu besoj. Nuk është hera e parë. Më kanë zhgënjyer, më kanë gënjyer. Këto gjëra na kanë lodhur më së shumti”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Më në fund e binda babain”
Flutura ishte 11-vjeçare kur pa se si forcat serbe po e tërhiqnin zvarrë nënën e saj dhe disa gra të tjera.
Tani, Flutura është 36-vjeçare, por shpërthen në vaj sa herë i kujtohet dita kur nëna e saj u përdhunua gjatë luftës.
“Dua gra të bukura”, ishin fjalët e ushtarit serb, që Flutura tha se i ushtojnë ende në vesh.
Ajo, me nënën dhe motrat, po strehoheshin në një shtëpi të madhe, për t’u mbrojtur nga sulmet, së bashku me 100 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë.
Flutura kujtoi se shumë shpejt kishin shkuar në këtë shtëpi forcat serbe.
“Nënën time e morën të dytën. Një grua tjetër e morën të parën... Pastaj, i morën edhe gjashtë gra të tjera”, tha ajo.
Për katër orë, Flutura dëgjoi britmat e grave që përdhunoheshin e rriheshin vetëm pak metra jashtë shtëpisë. Atëkohë, ajo tha se nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte.
“Kam hequr shumë... Jam frikësuar... I kam pasur fëmijët e vegjël”, tha për Radion Evropa e Lirë nëna e saj, 63-vjeçare, teksa qëndronte pranë Fluturës.
Ajo është vetëm një nga rreth 20.000 personat që besohet se u përdhunuan gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.
Që dy vjet, ajo ka statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, i cili i siguron një pension prej 230 eurosh në muaj, dhe disa përfitime të tjera, si shërbime shëndetësore falas.
Flutura ishte ajo që e bindi nënën e saj për të aplikuar për këtë status, pasi fillimisht bindi babain.
Ishte ajo që i tregoi babait se nëna ishte përdhunuar, por ai nuk e priti mirë.
Kujtimet e qershorit '99: Kur ushtarët e KFOR-it hynë në Mitrovicë
Në qershor të këtij viti u mbush një çerekshekulli që kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë.
Shumë qytetarë dolën në rrugë për t’i takuar, me gjithë faktin se në shumë qytete kishte tensione ndëretnike.
Në mesin e tyre ishte edhe Fatmir Kelmendi dhe shoku i tij, Bashkim Hasani, që dolën në rrugët e Mitrovicës për të takuar ushtarët francezë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 17 qershor 1999.
Ai rrëfeu se kishte qenë në një lagje të Mitrovicës, kur kishte parë në qiell helikopterët e NATO-s, dhe së bashku me mikun e tij, siç tha ai, pa vetëdije, ishin nisur drejt stacionit të autobusëve.
“Pa vetëdije. Krejt popullata ishin nisur drejt stacionit të autobusëve. Në stacion të autobusëve ishte vendosur KFOR-i francez”, tregoi ai.
Në Mitrovicë, ushtarët e KFOR-it qëndronin në mes shqiptarëve që festonin çlirimin e vendit në njërën anë, dhe forcave serbe e civilëve që po largoheshin drejt pjesës veriore të qytetit.
Por, arritja e KFOR-it nuk solli qetësi në Mitrovicë.
Pas qershorit 1999, me qëllim që të shmangen tensionet ndëretnike, KFOR-i mbylli urën mbi lumin Ibër.
Ura kryesore mbi këtë lumë, sot e kësaj dite vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve.
Si është të jesh shqiptar në Serbi?
Në vitin që po lëmë pas, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna në jug të Serbisë të banuara me shqiptarë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – disa herë kanë protestuar duke kërkuar që të ndalet diskriminimi, që ata kanë thënë se e përjetojnë çdo ditë në Serbi.
Ata kanë kërkuar të ndalet pasivizimi selektiv i adresave të tyre të banimit, njohja e diplomave të Kosovës, integrimi në institucionet shtetërore të Serbisë dhe lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare.
Kjo ishte një nga temat e trajtuara nga newsletter-i i përjavshëm i Radios Evropa e Lirë, Në 3 minuta, ku është shpjeguar thjesht, shkurt dhe shqip se si është të jesh shqiptar në Serbi.
Për të lexuar dhe dëgjuar të gjitha materialet e Newsletter-it tonë, klikoni KËTU. Për t’u abonuar falas në newsletter-in tonë, klikoni KËTU.
Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgut
Pasi për shumë vjet është ankuar në instancat gjyqësore në Serbi për shkak të pasivizimit të adresës, Safet Demiri nga Banja e Sijarinës në Serbi i tha Radios Evropa e Lirë se adresa e radhës do të jetë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gjykata Kushtetuese serbe, në nëntor 2024, ia hodhi poshtë ankesën Demirit, gjë që nxiti reagime nga autoritetet e Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Demiri tregoi se për vite të tëra jeton mes Serbisë dhe Austrisë.
Adresa e tij në vendlindje është e pasivizuar qysh në vitin 2019.
“Ata [autoritetet] vetëm kanë thënë se unë nuk banoj aty. Ata nuk i kanë verifikuar dokumentet e mia, që i kam pronat, kam tokë aty, kam lindur aty”, tha ai.
Sipas një raporti të Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, çështja e pasivizimit të adresave thuhet se “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.
Ndalimi i shamisë në shkolla ngjall polemika për të drejtat dhe rregullat
Një vajzë me iniciale A.D., që bart shami, apo hixhab, u ndalua që të ndjekë mësimet në gjimnazin "Bedri Pejani" në Pejë.
Autoritetet e shkollës e kishin larguar atë nga procesi mësimor qysh në fillim të vitit të ri shkollor, më 2 shtator.
Prokuroria nisi hetimet për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut, teksa dyshime të tilla shprehu edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Nga gjimnazi në Pejë thanë se largimin e 18-vjeçares nga shkolla e bënë në përputhje me një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI).
Për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe Qendrën Kosovare për Paqe, ky udhëzim është keqinterpretuar dhe keqpërdorur nga autoritetet arsimore në Pejë dhe, rrjedhimisht, sipas tyre, ato i kanë shkelur të drejtat e 18-vjeçares.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron ligjet në vend, thanë se Udhëzimi Administrativ 6/2014 i MASHT-it - në fuqi tash e dhjetë vjet - krijon “pasiguri juridike” dhe “mundësi për veprime arbitrare”.
Pavarësisht reagimeve, në tetor vajza vazhdoi shkollimin. Kthimi i saj u bë pasi MASHT-i ia rekomandoi një gjë të tillë Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Pejës.
Paguhen, por nuk punojnë: Dy toksikologët "joekzistentë" të QKUK-së
Në maj të këtij viti, Radio Evropa e Lirë raportoi se dy specialistët e vetëm të toksikologjisë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, shkonin dy herë në ditë në punë vetëm për t'u nënshkruar.
Ata e pranuan se nuk ushtronin funksionin e tyre në mungesë të kushteve, pavarësisht se për këtë vend pune kishin nënshkruar kontratë më 2021.
Klinika e Biokimisë, ku ishin të punësuar, nuk ka laborator të veçantë për trajtimin e rasteve toksikologjike.
“Nuk kemi zyrë, nuk kemi kompjuterë dhe laboratori mungon në tërësi. Në mungesë të këtyre [gjërave], është e pamundur të zhvillohet puna e specialistit të toksikologjisë”, tha Islami për Radion Evropa e Lirë.
Disa ditë pas raportimit të REL-it, Islami dhe Bajraktari u zhvendosën nga Klinika e Biokimisë.
“Pas raportimit tuaj, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka shqyrtuar rastin e toksikologëve në Klinikën e Biokimisë dhe ka vendosur që të dy ata të transferohen menjëherë në Barnatoren Qendrore të SHSKUK-së, për t’i kryer detyrat që u takojnë me kontratë”, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.
Logopedi që ua la seancat praktikantëve
Logopedi dhe defektologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Iljasa Fazliu, është përballur me ankesa dhe kritika për moskryerje të punës dhe trajtimin e papërshtatshëm të pacientëve dhe kolegëve.
Situata bëhet edhe më serioze, kur kihet parasysh se Fazliu, dy vjet më parë, u arrestua nën dyshimet për abuzim verbal të një pacienteje 3-vjeçare, por se më pas u lirua.
Ai nuk ka pranuar të flasë me REL-in për këto kritika, duke e drejtuar redaksinë te zyra për informim e QKUK-së.
Por, nëna e një djali 17 vjeç, me nevoja të veçanta, tregoi për REL-in se ka pasur përvojë të hidhur me logopedin Fazliu.
Ndonëse pacient i tiji, ajo tha se djali i saj është kontrolluar vetëm një herë prej tij - “seancat e tjera i kanë zhvilluar praktikantët”.
Për gati një vit gjatë 2023-shit, atij i janë caktuar seanca trajtimi tri herë në javë.
“Në vend se të ishte i pranishëm në to, Fazliu shihej duke pirë duhan para objektit”, tha kjo bashkëbiseduese në kushte anonimiteti.
Djali i saj, tha ajo, nuk ka pasur asnjë përparim, por, përkundrazi, “ka treguar vazhdimisht shenja shqetësimi”.
Në tre muajt e fundit të trajtimit, ajo tregoi se djalin e ka përcjellë një logopede tjetër dhe se me të ka kaluar “jashtëzakonisht mirë”.
Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt: Rrëmujë, papastërti, pajisje të prishura, lagështi...
Në tetor të këtij viti, ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, një nga shtatë spitalet rajonale në Kosovë.
Në këtë spital ka disa reparte, sikurse ai i Emergjencës, Pediatrisë, Kirurgjisë e Gjinekologjisë. Por, kushtet në shumë dhoma nuk dukeshin të mira.
Shembull, në Gjinekologji kishte rrjedhur ujë nëpër mure, teksa bombolat e oksigjenit shiheshin nëpër korridore në mungesë të sistemit të instaluar në mure.
Ndërkaq, Kuzhina e spitalit ishte stërmbushur me orendi të vjetra e me gjësende të tjera.
Frigoriferët nuk mbylleshin dhe ushqimet, sikurse mishi i pulës që duhet të ruhet në temperatura të ftohta, ishte lënë jashtë frigoriferëve.
“Kushtet janë kështu siç po i shihni edhe vetë. Çka të bëj?”, i tha Radios Evropa e Lirë Z.M., një paciente e shtrirë në repartin e ortopedisë.
Një herë në vit në Gorë: Kur vij këtu, e puth derën
Rajoni i Gorës në komunën e Dragashit është gati se i zbrazur gjatë vitit, por në verë, numri i banorëve shtohet me ardhjen e atyre që jetojnë jashtë vendit.
Vejap Kasemoviq, nga fshati Orqushë, zakonisht takon pak njerëz në rrugët e vendlindjes së tij. Por, disa ditë gjatë verës, ky fshat mbushet plot.
"Gjithçka është e vdekur. Por, kur bëhet... sot jemi më 3 korrik, pra nga sot e më së shumti dhjetë ose shtatë ditë ky fshat do të jetë plot. Këtu vinë për pesë ditë dhe ashtu siç vijnë edhe shkojnë", tha ai.
Viteve të fundit në rajonin e Gorës janë boshatisur fshatrat ku shumicë është komuniteti goran. Megjithatë, shumë prej tyre erdhën edhe këtë vit në vendlindje. Për të moshuarit, kthimi është emocional.
Brenda ishullit Sazan ku Jared Kushner planifikon një kompleks luksoz
Ishulli i Sazanit, në Shqipëri, për shumë dekada ishte i mishtershëm. Në të dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake, para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.
Tani, herë pas here, ky ishull në Vlorë përdoret nga ushtria e Shqipërisë dhe NATO-ja.
Megjithatë, ky ishull u rikthye në vëmendjen e opinionit këtë vit. Kjo pasi Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, synon ta shndërrojë atë në një vendpushim luksoz.
Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe rreth 6 kilometra katrorë dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 kilometraah katrorë. Aty ende nuk ka energji elektrike, e as ujë të pijshëm.
Por, aty ka shumë bunkerë. Pavarësisht se numri i saktë i tyre nuk dihet, gjatë vizitës në mars që ekipi i Radios Evropa e Lirë bëri në ishull, bunkerët mund të shiheshin në çdo cep të tij.
Vila mijëravjeçare poshtë Durrësit që e zbuloi tërmeti
Teksa punonin në rindërtimin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Durrësin, pesë vjet më parë, autoritetet zbuluan një pasuri të rrallë arkeologjike.
Sipas arkeologëve, bëhet fjalë për një vilë dymijëvjeçare.
Arkeologu që udhëheq punimet, Luan Përzhita, i tha Radios Evropa e Lirë se, deri më tash, aty janë zbuluar katër mozaikë.
Shkolla, që u shkatërrua nga tërmeti, ishte ndërtuar në vitet ‘70, dhe nuk i përballoi lëkundjet e forta.
Një pjesë e saj, tha arkeologu, ishte e ndërtuar mbi këtë vendbanim të hershëm.
Zbulimi i parë ishte një mozaik i brendshëm, që dha sinjale se zona prej 1.200 metrash katrorë mund të nxirrte në dritë gjetje të tjera arkeologjike.
“Vila e zbuluar apo vendbanimi luksoz i përket fundit të shekullit të parë të erës sonë, fillimit të shekullit të dytë. Këto janë të dhënat e deritanishme”, tha Përzhita, duke shtuar se ajo është një vilë luksoze me disa mozaikë.
Estonia, shteti ku Rusia takon Perëndimin
Kufiri i Estonisë me Rusinë, në disa pjesë, është vetëm pak metra i gjatë. Kufizi estonez përbën njëherësh kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian, por pikën ku NATO-ja takohet me Rusinë dhe në këtë kufi, ekipi i Radios Evropa e Lirë qëndroi më herët gjatë këtij viti.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Estonia - vend anëtar i BE-së dhe NATO-s - është përballur me rritje të sulmeve kibernetike ruse, si “ndëshkim” për ndihmën që ia ka ofruar Kievit. Megjithatë, estonezët janë të vendosur të mbrojnë vendin e tyre përballë cilitdo kërcënimi.