Ndërlidhjet

Irani “u zmbraps” nga një sulm kundër forcave amerikane


Gjenerali Frank McKenzie
Gjenerali Frank McKenzie

Komandanti i ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme, gjenerali Frank McKenzie, tha se Teherani u zmbraps nga një sulm i dukshëm kundër forcave të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Gjirit Persik, pas përforcimit të trupave amerikane atje.

McKenzie tha se Teherani vendosi "të tërhiqet dhe të rillogarisë" pasi bëri përgatitje për një sulm të dukshëm, por shtoi se ai është ende i shqetësuar nga potenciali i Iranit për agresion.

"Unë nuk besoj se kërcënimi është zvogëluar. Besoj se kërcënimi është shumë real", tha McKenzie në Bagdad, gjatë një interviste me tre reporterë që e shoqëruan atë në një vizitë në rajon.

McKenzie, udhëheqës i Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se nuk e përjashton mundësinë e kërkimit të trupave shtesë, për të forcuar mbrojtjen përballë kërcënimeve iraniane.

Ai nuk dha hollësi se çfarë lloj sulmi është pritur nga Irani, duke përmendur arsyet e sigurisë.

Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar prejse Shtetet e Bashkuara, në maj të viti 2018, janë tërhequr nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015, midis fuqive botërore dhe Iranit.

Që atëherë, Uashingtoni ka rivendosur sanksione kundër Iranit, ka ashpërsuar retorikën kundër tij dhe ka forcuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme.

"Vlerësimi im është se kjo ka bërë që iranianët të zmbrapsen pak, por unë nuk jam i sigurt nëse kjo është një strategji e tyre", tha McKenzie.

Megjithatë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka marrë qëndrim të ashpër ndaj Iranit prejse është zgjedhur, shprehu gatishmëri për t’u takuar me udhëheqësit iranianë.

Duke folur pranë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, gjatë një ceremonie të enjten në Francë, Trump tha se sanksionet amerikane po e godasin ekonominë iraniane keq dhe ndoshta mund ta nxisin Iranin që të bisedojë.

“Nëse ata (iranianët) duan të bisedojnë, në rregull. Ne do të bisedojmë”, tha Trump.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Teherani nuk do të "mashtrohet" nga oferta e negociatave e Trumpit dhe se nuk do të heqë dorë nga programi i tij raketor.

Administrata amerikane e ka akuzuar Teheranin për përpjekje për të zhvilluar armë bërthamore. Sipas SHBA-së, Republika Islamike e përdor programin e raketave balistike për t’i çuar përpara këto aspirata.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është rreptësisht për qëllime civile.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG