Ndërlidhjet

Trump: SHBA do një Iran pa armë bërthamore


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ndodhet për vizitë në Japoni, tha se Uashingtoni nuk dëshiron ndryshimin e regjimit në Iran, por një "Iran pa armë bërthamore".

"Mendoj se do të bëjmë marrëveshje me Teheranin", tha Trump, pas bisedimeve me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, në Tokio.

Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar prejse SHBA-ja, një vit më parë, është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Me këtë marrëveshje, që është arritur në vitin 2015, Irani ka kufizuar programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Por, prejse ka dalë nga marrëveshja, Uashingtoni ka rivendosur sanksione kundër Iranit, ka përshkallëzuar retorikën e tij dhe ka rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar shqetësime për një konflikt të mundshëm ushtarak me Republikën Islamike.

"Unë besoj se Irani do të dëshirojë të flasë dhe nëse dëshiron, ne do të dëshirojmë po ashtu", tha Trump për gazetarët në Tokio.

"Unë nuk dua ta lëndoj Iranin. Dua t'i them: Jo armë bërthamore. Kemi mjaft probleme në këtë botë me armët bërthamore. Jo armëve bërthamore për Iranin", tha Trump.

Shtetet e Bashkuara dyshojnë se Irani po punon fshehurazi në krijimin e armës atomike dhe kërkojnë negocimin e një marrëveshjeje më të gjerë për kontrollin e armëve.

Irani i hedh poshtë këto akuza dhe deri më tash nuk është shprehur i gatshëm për bisedime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG