Gjatë muajit të Ramazanit, në Kosovë ka rënë interesimi i qytetarëve për t’u testuar për COVID-19, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë brenda dy ditëve të fundit (26 dhe 27 prill) janë bërë 3,844 testime. Ndërkaq, dy ditë para fillimit të Muajit të Ramazanit (11 dhe 12 prill) ishin kryer 7,621 testime për koronavirus.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se edhe masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kanë ndikuar në rënien e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 dhe të personave që kanë nevojë për hospitalizim.
Aktualisht, në spitalet e Kosovës janë duke marrë trajtim mjekësor 700 persona.
Në MSH, megjithatë nuk janë përgjigjur në pyetjen se a janë duke u gjurmuar rastet dhe kontaktet e personave, të cilët rezultojnë pozitivë në COVID-19.
Së fundmi, qytetarët e Kosovës, të cilët kanë pasur simptoma të sëmundjes COVID-19 kanë mundur që të testohen në institucionet publike. Paraprakisht, megjithatë, ata duhet të marrin një udhëzim nga mjeku familjar.
Rënie për 30 deri në 50 për qind e testimeve për koronavirus ka pasur edhe në disa laboratorë privatë në Kosovë, ku thonë që lidhur me këtë ka ndikuar Ramazani.
Këtë e konfirmon, Blerim Bajçinca, menaxher në laboratorin ‘Olive’ në Prishtinë.
Edhe Valon Sopa nga laboratori privat ‘Analiza’, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i testimeve për testin PCR, serologjik dhe analizat tjera që lidhen me COVID-19, kanë shënuar rënie deri në 50 për qind.
Tolaj: Të bëhen sa më shumë testime
Infektologu Ilir Tolaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet bërë sa më shumë testime për COVID-19.
Praktika ‘identifiko dhe gjurmo’, shton ai, është aplikuar në mënyrë strikte në disa vende, të cilat kanë treguar sukses në luftën kundër pandemisë.
“Në një vend si Kosova është një praktikë tjetër. Nuk shquhemi shumë as për një dedikim të madh në punë edhe kur janë të natyrës serioze, edhe kur janë të tillë - jetëkërcënuese - prandaj nuk është fare befasuese që edhe lidhur me këtë pandemi, më shumë u shkojnë problemeve prapa, institucionet në veçanti, sesa që i paraprijnë zgjidhjes së tyre dhe parandalimit të tyre”, thotë Tolaj.
Kosova, shton ai, vetëm në fillim të pandemisë ka bërë një gjurmim adekuat të rasteve të kontaktit të një rrethi më të gjerë, ndërsa më vonë dhe as tani, ky gjurmim nuk bëhet.
Mosgjurmimi i rasteve të kontaktit, shton Tolaj, ka bërë që në Kosovë të mos dihet numri i saktë i të infektuarve me COVID-19.
Testimi për COVID-19 “nuk e prish” agjërimin
Muaji i Ramazanit ka filluar më 13 prill dhe gjatë 30 ditëve, besimtarët myslimanë nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja e diellit deri në perëndim të tij.
Megjithatë, testimi për COVID -19 nuk e prish agjërimin, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sabri Bajgora nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
“Është mendim unanim i dijetarëve se testi PCR për koronavirus nuk e prish agjërimin, madje nuk e prish agjërimin as vaksinimi për koronaviurs”, thotë Bajgora.
Po ashtu, ai shton se as dhënia e gjakut për analiza të ndryshme, përfshirë dhe testin serologjik për koronavirus, nuk e prish agjërimin.
“E vetmja gjë që mund të prish agjërimin është marrja e gjakut në mënyrë intervenoze apo në formë ushqimi, ajo e prish. Përndryshe, dhënia e gjakut dhe analizat e ndryshme që i bën njeriu gjatë Muajit të Ramazanit, nuk e prishin agjërimin”, thotë Bajgora.
Testi PCR përcakton nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti. Ndërkaq, testimi serologjik bëhet përmes gjakut dhe tregon prezencën e antitrupave të virusit në organizmin e njeriut.
Gjendja aktuale me pandemi
Sa i përket gjendjes epidemiologjike në Kosovë, Tolaj thotë se është një situatë e qetë. Vala e tretë e pandemisë në Kosovë, sipas tij, është në shuarje e sipër.
Por, se a do të ketë valë tjetër, Tolaj thotë se kjo do të varet sesa e suksesshme do të jetë Kosova në sigurimin e vaksinës dhe në vaksinimin e një numri të madh të njerëzve.
“Kur them numër të madh, nënkuptojmë 300 deri në 400 mijë persona të vaksinuar deri në verë, 400 mijë njerëz të imunizuar së bashku me mbi 600 mijë që e kanë kaluar virusin, do ta përbënin imunitetin kolektiv, i cili do të ishte domethënës në ecurinë e pandemisë dhe nga pandemia do të kalonim në një gjendje, që do të kishim më pak raste ose raste krejt sporadike”, thotë Tolaj.
Në Kosovë rastet e para me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi janë paraqitur në mars të vitit 2020. Që nga ajo kohë, deri më 27 prill janë regjistruar 104,390 persona pozitivë me COVID-19.
Prej tyre 2,148 kanë vdekur.
Facebook Forum